Dy të rinj nga Podujeva po raportohet se janë arrestuar të premten nga autoritetet e Serbisë.
Dyshohet se ata u arrestuan të territorin e Serbisë, derisa po prisnin dru.
Lidhur me rastin është deklaruar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Në një përgjigje për Klankosova.tv MPJD thekson se janë në pritje të konfirmimit të rastit, identitetit të të arrestuarve dhe lokacionit se ku po mbahen ata.
“Në lidhje me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar tashmë Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, një kërkesë formale për ta konfirmuar rastin, si dhe për të ofruar detajet tjera relevante, përfshirë identitetin e personave të arrestuar dhe lokacionin ku ata janë duke u mbajtur”, thuhet në përgjigje.
Lidhur me këtë, janë njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd.
“Në momentin e konfirmimit, diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi do të bëjnë kërkesë zyrtare për vizitën e tyre në qendrën e paraburgimit ku ata janë duke u mbajtur”, thuhet tutje në përgjigje