​LVV me kritika ndaj komunës së Mitrovicës

Aktuale

​LVV me kritika ndaj komunës së Mitrovicës

Më: 26 nëntor 2024 Në ora: 15:42
​LVV me kritika ndaj komunës së Mitrovicës

Lëvizja Vetëvendosje-Dega në Mitrovicë, gjatë një konference për media të mbajtur sot para objektit komunal, ka kritikuar punën e deritashme të pushtetit në Komunën e Mitrovicës, e cila udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës, sidomos mungesën e vazhdueshme të kryetarit të komunës, Bedri Hamza.

Armend Muja theksoi se qytetarët e Mitrovicës besimin ia kanë dhënë Bedri Hamzës dhe se ai besim nuk mund të transferohet te zyrtarët tjerë. Mirëpo, siç u shpreh ai, ky është stili i punës së Hamzës, i njohur edhe nga e kaluara e tij sa ishte udhëheqës në nivelin qendror.

Muja: Bedri Hamza të jap dorëheqje

"Qytetarët e Mitrovicës besimin ia kanë dhënë Bedri Hamzës dhe ai besim nuk mund të transferohet te tre-katër zyrtarë të cilët janë të rinj dhe pa kokërr përvoje e përgjegjësie. Por, delegimi i përgjegjësisë tek zëvendësit e tij është trajtë e zotit Hamza, është në stilin e tij, ashtu ka vepruar edhe si ministër, ashtu ka vepruar edhe kur është provatizuar Keds-i, s'e ka bërë vetë, e ka bërë zëvendësi i tij, ashtu pati operuar edhe kur e ka paguar gjobën e Bechtel Enkës, po ashtu pati operuar kur janë bërë privatizimi i terminaleve, ky është stili i Bedri Hamzës. Dhe, unë jam i sigurtë se nëse ai është kaq i përkushtuar për t'u rikthyer në nivelin qendror dhe është shumë i sigurtë, është e rëndësishme të jap dorëheqje", ka thënë Muja.

Deputetja Arjeta Fejza e cila u përqendrua më tepër në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies, tha se kryetari Hamza pati ardhur në pushtet me premtime të fuqishme për arsim, shëndetësi e mirëqenie të përgjithshme të qytetarëve, ndërsa edhe pas tre vitesh mitrovicasit nuk mund të numërojnë asnjë reformë në këto sektore.

Fejza: Nuk ka asnjë reformë

"Kryetari që mungon, erdhi në qeverisje me gojën plotë për reforma në arsim, shëndetësi e mirëqenie, e në fakt sot pas tri vitesh qytetarët e Mitrovicës nuk mund të numërojnë asnjë reformë të vetme në këtë sektor. Realiteti flet krejt ndryshe, në fakt flet për probleme të theksuara në të gjitha aspektet, por veçanërisht në arsim, duke filluar nga humbja e orëve të mësimit", theksoi Fejza.

Ndërkaq, Faruk Mujka, anëtar i kryesisë së VV-së në Mitrovicë, duke kritikuar punën e deritashme të pushtetit në këtë komunë, potencoi se Mitrovica është i vetmi qytet, ku nuk ka ndodhur pothuajse asgjë gjatë këtyre tre viteve.

Mujka: Vendosja e orës në shesh i vetmi ndryshim në Mitorivicë

"Mitrovica është i vetmi qytet në të cilin nuk ka ndodhur pothuajse asgjë në këto tri vitet e fundit dhe i vetmi ndryshim është vendosja e orës në shëtitore, e cila nga katër anët tregon kohë të ndryshme. Pra, edhe ora ka humbur busullën në Mitrovicë", tha Mujka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat