Kryeministri për Metush Krasniqin: Ishte njëri prej aktivistëve politikë më të paepur për idealet kombëtare

Aktuale

Kryeministri për Metush Krasniqin: Ishte njëri prej aktivistëve politikë më të paepur për idealet kombëtare

Më: 26 nëntor 2024 Në ora: 17:35
Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në akademinë përkujtimore dhe në ceremoninë e zbulimit të shtatores së veprimtarit Metush Krasniqi, në 38-vjetorin e vdekjes së tij, në sheshin që mban emrin e tij.

Në nderim të jetës dhe veprës së Metush Krasniqit, kryeministri e cilësoi atë si njërin prej aktivistëve politikë më të paepur për idealet kombëtare dhe politike të kohës së tij, i cili ishte vetëm 20 vjeçar kur u burgos për herë të parë, më 1947.

“Duke e ngritur këtë vepër arti publike këtu në Kamenicë, ne përveç që e nderojmë personalitetin e Metush Krasniqit, e fiksojmë figurën historike që ai përfaqëson duke i bërë vend një herë e mirë këtu në Kamenicë, traditës politike të cilës i takonte Metushi dhe trashëgimisë politike të lënë pas ndër ne prej saj dhe prej vetë atij”, tha Kurti, njoftojnë nga zyra e kryeministrit.

Tutje theksohet se në fjalën e tij, Kurti ka kujtuar sfidat e procesit gjyqësor nëpër të cilat kishte kaluar Metush Krasniqi, diskutimet e zhvilluara mes tij dhe gjykatësit në gjykatore, duke thënë se ato nuk ishin thjesht pyetje dhe përgjigje mes një të pandehuri dhe një gjykatësi, por ishin dialogje mes dy anëve të historisë: anës së regjimit shtypës të Jugosllavisë, i përfaqësuar te figura e gjykatësit dhe anës së rezistencës së një populli me vetëdije të lartë për liri, kjo e personifikuar te figura e Metush Krasniqit, të aktivistit që po mban mbi supe barrën e peshës së shtypjes së popullit të tij.

Idealet e Metush Krasniqit na flasin ende sot, sepse ato na e kujtojnë rrugën e mundimshme dhe të përgjakur të ne shqiptarëve për lirinë e vendit tonë, tha më tej kryeministri, teksa shtoi se “shtatorja e tij që po përurojmë sot, duhet parë si një monument për lirinë, sepse liria është parakushti i të gjitha mundësive për zhvillim dhe përparim, për mirëqenie dhe për vetëvendosje”.

Në këtë akademi përkujtimore nga Komuna e Kamenicës, çmimi ‘Metush Krasniqi’ iu nda familjes Krasniqi nga Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, të cilën e pranoi vajza e Metushit, Teuta Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat