Avokati, Kadri Osaj, ka thënë se pretendimet e ish-krerëve të UÇK-së në drejtim të gjyqtarëve të Gjykatës Speciale për mos gjykim të drejtë janë pretendime serioze se atyre u janë shkelur të drejtat.
Osaj në emisionin “Ditari”, ka shtuar se shkelja e të drejtave të tyre mund të konsiderohet si shkelje e ligjeve dhe parimeve themelore të garantuara me ligje dhe konventa ndërkombëtare.
“Pretendimet e adresuara nga ana e ish-krerëve të UÇK-së tani të akuzuar, qoftë përmes përfaqësuesve të tyre, qoftë direkt nga ana e tyre, është një pretendim serioz se të akuzuarve u janë shkelur të drejtat dhe se shkelja e të drejtave të tyre është sqaruar me pretendimet e tyre se gjatë gjykimit dhe administrimit të provave ka një anshmëri. Anshmëria ose shkelja e të drejtave të tyre mund të konsiderohet si shkelje e ligjeve dhe parimeve themelore dhe fundamentale të garantuara me ligjet tona dhe me konventat ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Sipas avokatit Osaj letra duhet të dërgohet te kryetarja e trupit gjykues e cila siç ka thënë ai ‘duhet të vendos se çfarë do të bëhet me këtë trup gjykues’.
“Gjithashtu ky adresim i tyre nënkupton edhe ndryshimin e objektivitetit të trupit gjykues ku automatikisht adresimi i kësaj letre dhe marrja në dorë e kësaj letre nga ana e trupit gjykues duhet të ndërpriten të gjitha aktivitetet dhe të dërgohet kjo letër te kryetarja e trupit gjykues në atë mënyrë që ajo të vendos se çka do të bëhet me këtë trup gjykues a do të përjashtohet apo do të vazhdohet më tutje në procedimin e kësaj çështjes”, është shprehur Osaj.
Më tej, ai ka thënë që ka vlerësuar se që në fillim të procesit gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së është treguar anshmëri në disa veprime procedurale.
“Qysh në fillimin e këtij procesi është treguar një anshmëri. Është treguar anshmëri për faktin kur pa u konfirmuar aktakuza është bërë publike aktakuza ku pra është shkelur një dispozitë ligjore të cilin organet e hetuesisë dhe gjykata kanë qenë të obliguara ta respektojnë. Anshmërinë e kësaj gjykate e kam kuptuar edhe nga veprime tjera procedurale e posaçërisht në procedurën paraprake te faza e caktimit të paraburgimit, ngase me dispozitat vendore dhe ndërkombëtare është e garantuar se çdokush që privohet për herë të parë nga liria i ipet mundësia që në një afat sa më të shkurtër të dërgohet para gjyqtarit të procedurës paraprake që t’i argumentojë të kundërtën nga ajo që pretendon prokuroria”, ka theksuar ai.
Ndryshe, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, kanë dërguar një letër në drejtim të gjyqtarëve të Gjykatës Speciale, ku janë ankuar për mos gjykim të drejtë. Në letrën e tyre ata kanë thënë se gjyqtarët po mbajnë anën e prokurorisë.