Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka deklaruar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian ia kanë vlejtur për shkak se sipas tij territori, rendi, ligji dhe siguria janë mbi gjithçka.
Dugolli ka thënë se këto masa edhe mund të hiqen por Kosova është dashur t’i marrë në mënyrë që siç është shprehur ‘të kthejë rendin dhe ligjin’.
“Janë vu masat të padrejta, totalisht të padrejta dhe të pa merituara, por këto ne i kuptojmë si kundërvlerë e një situate që Kosovës i është dashur ti merr këto masa dhe këto veprime për të kthyer rendin dhe ligjin. Patjetër që ia kanë vlejtë masat, masat edhe hiqen edhe zhduken, por territori, rendi, ligji, siguria janë mbi të gjitha”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka shtuar se në veriun e Kosovës gjatë mandatit katërvjeçar të Qeverisë Kurti është bërë një punë kolosale pasi për mendim të tij ajo pjesë e territorit më nuk shihet si pjesë e humbur.
“Prej një situate kur një pjesë e territorit 16% apo 17% e territorit ka qenë jashtë kontrollit tani është nën kontroll, pra nuk është punë e vogël, është punë kolosale e cila ndoshta optimisti më i madh nuk do të kishte mundur ta marr me mend që për këtë mandat do të arrijmë ta kthejmë, pra më nuk bëhet fjalë për atë pjesë të territorit si pjesë e humbur”, është shprehur Dugolli.
Ndryshe, Bashkimi Evropian vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës vitin e kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka ndërmarrë disa veprime në veri, që janë kritikuar nga faktori ndërkombëtar. Ekzekutivi kosovar ka ndaluar përdorimin e dinarit serb, ka mbyllur disa degë të postës serbe, si dhe institucione paralele dhe ka shprehur synimin që të hapë për qarkullim të trafikut urën mbi lumin Ibër, për çfarë është kritikuar se rrezikon trazira dhe destabilitet.