Kurti jep lajmin e mirë: ​Kosova do të hapë fabrikë për prodhimin e municionit

Aktuale

Kurti jep lajmin e mirë: ​Kosova do të hapë fabrikë për prodhimin e municionit

Nga: Bota sot Më: 27 nëntor 2024 Në ora: 07:14 Përditësuar në ora: 12:27 më 27.11.2024
Qeveria e Kosovës

Hapja e fabrikës për municion, ministri Maqedonci jep detaje

Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka dhënë detaje shtesë rreth vendimin për formimin e komisionit, i cili siç tha ai, do të hulumtojë dhe do të diskutojë rreth hapjes së një fabrike shtetërore për prodhimin e municionit.

Në lidhje me këtë fabrikë, Maqedonci u shpreh se kanë zhvilluar në vazhdimësi komunikim dhe koordinuar me partnerët.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës ka nënshkruar vendimin për formimin e një komisioni i cili do të vë bazamentin e industrisë ushtarake për herë të parë në vendin tonë dhe me këtë ne po fillojmë një epokë të re për kompletimin dhe përmbylljen e sistemit dhe infrastrukturës së Mbrojtjes dhe Sigurisë, duke tentuar që të krijojmë qëndrueshmëri edhe në aspektin e prodhimit dhe furnizimeve me sistemet e armatimit”.

“Ky komision do të hulumtojë dhe do të negocioi si dhe do të diskutojë rreth hapjes së një fabrike shtetërore për prodhimin e municionit që do të jetë edhe fabrika e parë e llojit të tillë në Republikën e Kosovës.

“Për këtë ne kemi zhvilluar në vazhdimësi komunikim, jemi koordinuar me partnerët tanë dhe në këtë rast, pra për hapjen e fabrikës shtetëore të municionit, jemi në kontakt dhe kemi pranuar edhe një raport fizibiliteti me prodhues shtetëror nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Turqisë. Jemi në fazen e finalizimit të këtij projekti dhe komisioni i cili do të punojë dhe i cili do të kryesohet nga unë, do të finalizojë kontratën me të cilën ne fillojmë për punën për hapjen e fabrikës shtetëore të municionit”, u shpreh ai.

Hapja e kësaj fabrike, sipas Maqedoncit nuk do të do të pengojë zhvillimin e sektorit privat në prodhimin e municioneve.

“Kjo nuk do të pengojë zhvillimin e sektorit privat në prodhimin e municioneve, të gjitha kompanitë inkurajohen që vazhdojnë punën e tyre për hapjen e fabrikave të tilla, duke pasur parasysh faktin që sot më shumë se kurrë, jo vetëm vendi ynë, por të gjithë partnerët tanë, por edhe në botën në tërësi, ka nevojë për plotësimin e stoqeve të municionit dhe armëve, por gjithashtu edhe për krijimin e rezervave, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të sigurisë dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet bota në përgjithësi, por edhe regjioni ynë”, u shpreh ai.

Ministri gjithashtu tha se ky komision do të hulumtojë dhe do të diskutojë edhe mundësinë për hapjen e një laboratori, siç tha ai, me qëllim dizajnimin e fluturakeve pa pilot.

Tutje, Maqedonci ka shfrytëzuar rastin edhe që të bëjë një urim për “Ditën e Forcës”.

“Shfrytëzoj rastin që të gjithë ushtarakëve aktiv, rezervë, ushtarakëve të pensionuar si dhe personit civil të Forcës së Sigurisë së Kosovës, t’iu uroj “Ditën e Forcës”, 27 nëntor”, u shpreh ministri.

Komunave u ndahen 15 milionë euro për pagat e këtij sektori

Qeveria e Kosovës ka ndarë 15 milionë euro komunave për të mbuluar pagat në sektorin e arsimit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se ekzekutivi po iu del në ndihmë komunave që s’kanë arritur të mbulojnë pagat.

Ato janë kryesisht për sektorin e arsimit që rrjedhin nga kontrata kolektive.

Ky vendim u bë në kuadër të kërkesës për kursime dhe ndarje.

Arben Krasniqi, emërohet sekretar i përgjithshëm në zyrën e kryeministrit

Arben Krasniqi, është emëruar Sekretar i Përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit.

Ky vendim është marrë në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ku u përmend se për këtë pozitë janë propozuar tre kandidatë.

“Propozim vendimi është në harmoni të plotë me dispozitat ligjore për zyrtaret publik dhe i njëjti është diskutuar me institucionet përkatëse dhe përmbush kërkesat procedurale për t’iu nënshtruar vendimmarrjes në këtë mbledhje të Qeverisë.

Me këtë rast kërkoj nga kabineti qeveritar që ta miratoni propozim vendimin e Komisionit për emërimin e Arben Krasniqit si sekretar i Përgjithshëm i ZKM-së”, tha ministri Xhelal Sveçla.

Formohet komisioni ad-hoc për zgjedhjen e kryeinspektorit shëndetësor

Qeveria e Kosovës ka formuar Komisionin Ad-hoc për vlerësimin profesional për pranim për pozitën si kryeinspektor shëndetësor në Inspektoratin Shëndetësor.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka theksuar si prioritet reagimin më të shpejtë ndaj shkeljeve potenciale të të drejtave të pacientëve.

“Fuqizimi i kapaciteteve ekzistuese është prioritet strategjik i Qeverisë duke përmirësuar kapacitetet tona, ne do të kemi mundësi të reagojmë më shpejtë ndaj shkeljeve potenciale të të drejtave të pacientëve që të ndëshkohen ata që shkelin të drejtat dhe legjislacionin në fuqi”, tha Vitia.

Qeveria miraton Projektligjin për Inspektoratin e Arsimit

Qeveria ka miratuar projektligjin për Inspektoratin e Arsimit.

Në mbledhje, kryeministri Albin Kurti tha se “synimi i këtj projektligji është trajtimi dhe mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit të aplikueshëm në të gjitha institucionet publike dhe private të cilat ofrojnë shërbime edukative, arsimore dhe aftësuese”.

Lidhur me këtë, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, tha se ky projektligj përcakton statusin e Inspektoratit të Arsimit në Kosovë, mënyrën e organizimit, kompetencat e përgjegjësitë.

Ajo tha se ky është mekanizëm i rëndësisë së veçantë, ndërsa tha se presin që ky projektligj ta bëjë edhe “përmirësimin e cilësisë në arsim.

​Kosova do të hapë fabrikë për prodhimin e municionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qeverisja e tij ka treguar që mbrojtja ka qenë ndër prioritet kryesore.

Në mbledhjen e qeverisë, ai tha se do ta themelojnë komisionin ndërministror me qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave lidhur me hapjen e fabrikës dhe prodhimit të municionit.

“Qeveria jonë ka treguar që mbrojtja ka qenë ndër prioritet tona kryesore dhe kjo është dëshmuar në vazhdimësi, si me numrin e ushtarëve të dyfishuar si me buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes që është treshifuar, si me trajnimin e oficerëve jashtë vendit që është katërfishuar, si me investimet në armatim që jabë shumëfishuar”, tha Kurti.

Ai ka theksuar se do të themelohet komisioni ndërministror për vlerësimin e nisjes së procedurave lidhur me hapjen e fabrikës dhe prodhimit të municionit.

“Këtë ditë të rëndësishme për ushtrinë tonë po e shënojmë me një vendim të rëndësishëm që porsa e nënshkrova dhe me një hap të domosdoshëm besoj për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të saj. Do ta themelojmë komisionin ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave lidhur me hapjen e fabrikës dhe prodhimit të municionit dhe për laboratorë mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot mbi territorin e Kosovës”, tha ai.

Mblidhet Qeveria, 30 pika në rend të ditës

Sot do të mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Në rend të ditës janë 30 pika për shqyrtim.

Qeveria do të bëj shqyrtimin e Projektligjit për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030 (MKRS), shqyrtimin e Propozim-vendimit për dhënien e mendimit lidhur me Nismën Legjislative të Kuvendit pér "Projektligjin r ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti (ZKM) dhe shqyrtimin e projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje (ZKM).

Po ashtu në rend ditës janë edhe këto pika shqyrtimi i Kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë për ndarjen e mjeteve buxhetore në kuadër të Masës 4.6 - Mbështetja e Ndërmarłjeve Publike në Pakon e Ringjalljes Ekonomike (MFPT) dhe shqyrtimi i Propozim-vendimit Përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme për nevoja të Terminaleve Doganore (MMPHI), etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat