Dy ish-ministrat e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala dhe Vesel Krasniqi, janë deklaruar të pafajshëm në akuzat ndaj tyre, për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Krasniqi akuzohet se i ka tejkaluar kompetencat zyrtare dhe pa autorizim ka iniciuar e zbatuar procedura ligjore për përgatitjen e udhëzimit administrativ për kontroll dhe cilësi të karburanteve të lëngëta të naftës, e të cilin e ka miratuar më 11 nëntor 2020.
Ndërsa Shala akuzohet se si ministër ka anashkaluar dispozitat e Ligjit për parandalim të konfliktit të interesit, kur ka miratuar vendimin me të cilin operatorin ekonomik “Euro Inspekt” dhe emri i biznesit Valdet S. Teneqja, është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e karburanteve të lëngëta të naftës, raporton koha. E kjo kompani është në pronësi të Valdet Teneqes, që sipas aktakuzës është baxhanaku i Shalës.
Shala e Krasniqi ishin ministra në kohën e koalicionit PAN. Të dy ishin pjesë e Nismës.