“Vetëm vdekja më ndan nga nxënësit”, kishte thënë Halit Geci - mësuesi i shkollës në Llaushë të Skenderajt.
Jo fort larg nga kjo bisedë që e kishte pasur me bashkëshorten e tij, mësuesi ishte vrarë nga forcat serbe, më 26 nëntor 1997.
Njëzeteshtatë vjet më vonë, bashkëshortja e tij, Kadirja, ndan me ekipin e KosovaPress-it kujtimet e asaj kohe.
Mes emocionesh, Kadire Geci ajo tregon se çfarë i ka mbetur peng t’i thoshte bashkëshortit të saj Halit Geci.
Derisa shtrëngon duart nga malli, ashtu siç kishte bërë po atë natë që kishte marrë vesh se Haliti kishte vdekur, 74 vjeçarja përshkruan çiltërsinë e mësuesit Halit.
Halit Geci plagët i kishte marrë derisa ndodhej brenda objektit të shkollës - aty ku shkonte edhe kur situata përkeqësohej, pavarësisht se rrezikonte jetën e tij.
Forcat serbe kishin gjuajtur në drejtim të shkollës dhe civilëve pa asnjë provokim.
Kadire Geci: Kam menduar që i ka ndodhur diçka djalit të madh
“Unë kur është vrarë [Halit Geci], më ka vdekur axha dhe kemi qenë në të pame. Po i dëgjoj dyert e axhës goxha po rropllojnë thash çka u bë, pse po i rropllojnë dyert kështu? Më thanë 'asgjë nuk ka, por kish qenë njëfarë lufte në Llaushë'. Mendja ime, çfarë është bërë në Llaushë...Mendja ime, djali i madh ka qenë duke shitur në rrugë tek shkolla, thash ndoshta policia. Ia patën filluar disa ditë i shqelmonin kur shitshin cigare. Iu thash 'Lene djali jem'. Më tha 'Jo sa mundemi të punojmë kapak, edhe në shkollë, t'ia ndihmojmë agës pak'. Ia patën ndalë rrogat atëhere. Më tha [Haliti] sa për para nuk shkoj t'i shoh me sy nxënësit, më tha 'unë punoj për shpirtin tim dhe nxënësit i dua si fëmijët e mijë", rrëfen ajo.
Dy nga katër fëmijët e mësuesit nuk kanë mundur të marrin pjesë në varrimin e tij pasi kishin migruar.
Kadire Geci: Haliti më kishte thënë se vetëm vdekja e ndanë nga nxënësit
"Këta dy [djemtë] jashtë i kam pasur të voglin dhe këtë (Agronin), të rinj i ka çuar babai i tyre. Ndoshta e dinte se do të vdiste, se e shkruajti Zoti tha 'Të gjithë do t'i qoj jashtë, edhe të madhin'...Thashë kur ke dashur ashtu, pse nuk shkove me fëmijët e tu. Tha 'Vallahin e kanë lëshuar dy shokë, gjithë ditën kam qajtur. Nxënësit rreth e rreth shkollës shko tek të afërmit e mi e atje, përjeto jo'. Tha 'Ata i kam çuar, Zoti i ka në dorë, e unë nuk ua kthej nxënësave shpinën...'Vetëm vdekja më ndanë se nxënësit, se do të interesohem për ta' thoshte. Vdekja i mbërriti më pas...[Sikur t’i kisha thënë] ndonjë fjalë, një pikë ujë të ia kisha dhënë veç. Gjithmonë më ka thënë 'besën po jap nuk do të më dëgjosh as eh as oh. As nuk e dëgjova 'eh' as 'oh', as një gotë me ujë t'ia jap. S'kam pas çfarë t'i them se gjithmonë e ka dashur shkollën. E kam kuptuar gojën kur e çelë çka po don të më thotë”, thotë ajo.
Edhe pse sot e shtyrë në moshë, 74 vjeçarja ende e ka të kthjellët kujtimin e asaj dite kur e kishte marrë lajmin se plumbi i forcave serbe kishte qëlluar mësuesin.
Fillimisht kishte dëgjuar për plagosje, por thotë se e ndjeu se ai kishte vdekur.
Kadire Geci: E ndjeva që Haliti kishte vdekur
“Tha [në lajme] 'Është plagosur Haliti me Shaban Rrecin'. Gjithqysh e ndjeva vetën që ka vdekur. Tha 'Nuk ka vdekur, veç është plaguar'. Kështu duart, sot e atë ditë më dhembin gishtat. Edhe tha [në lajme] 'Halit Geci dhe Shaban Rreci janë plagosur dhe janë në gjendje kritike janë'...Sa ishte nata, askush nuk ka fjetur. U mundova të shtrëngohem, sepse vëllau i madh ka qenë i sëmurë prej zemrës dhe thosha si të më sheh mua ai mërzitet. Të gjithë u ruajshin prej meje kapak. A ka gjë më të rëndë se të dëgjosh për vdekje e mos të vijsh në shtëpinë tënde. Atë natë s’ka pasur kush që hyn këtu, e rrethuar ishte Llausha", thotë ajo.
Mes tjerash, ajo rrëfen se si e kishte forcuar veten të mos qante e të bëhej “shkëmb” për fëmijët e saj kur vëllai ia kishe dhënë lajmin se mësuesi ka vdekur.
Kadire Geci: Më thanë duhet të jesh e fortë se Halili ka vdekur
"Të gjithë i shihsha që qanin...Kur erdha në Klinë disa llafe më lëshonte vëllau. Më tha "Kadire duhet gjithqysh me qenë e fortë. Kur është njeri i sëmurë dhe plagoset ndoshta edhe deka vije'. Ashtu duart i shtërngosha që mos të më shohin. Kur erdhëm tek shkolla më tha 'afroj fëmijët e tu dhe mos i jep askujt nasihat se ka kohë boll për të qajt. Që nuk i afron fëmijët e tu, s'ka kush t'i afron. Tha se 'se Haliti ka vdekur'. Kur kemi ardhur nga ura e deri në oborr, s'ke pasur çfarë të shohësh njerëz. Doli kunati me Lulin [djalin e madh], më tha 'Nëse e Zotin që na afron ti, ne këtu do të afrohemi' tha kunati. Thashë po besa. Erdha tek shtëpia, as nuk zinte oborri, as sokaku. Dy djemtë jashtë i kam pasur, të voglin dhe këtë [Agronin]”, rrëfen ajo.
Mësuesi Halit Geci ishte varrosur më 28 nëntor të vitit 1997.
Po atë ditë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte dalë për herë të parë publikisht. Mijëra njerëz ishin mbledhur në varrimin e mësuesit, por pa e ditur se aty po shënohej historia.
Varrimi i mësuesit Halit Geci dhe dalja e parë publike e UÇK-së shënojnë një prej ngjarjeve kryesore të historisë së lavdishme të popullit shqiptar për çlirim.
Deklarata e UÇK-së ishte lexuar nga Rexhep Selimi i cili shoqërohej nga dy ushtarë të tjerë, Daut Haradinaj dhe heroi Mujë Krasniqi.
Sot, pranë shkollës në Llaushë qëndron përmendorja e mësuesit Halit Geci dhe shkolla e fshatit mban emrin e tij.
Ndërkaq në hapësirën ku ishte paraqitur UÇK-së, është vendosur një memorial në shenjë kujtim.
“Jemi mërzitur [për vdekjen e Halitit], jemi ngushtuar, papritur. Por, tani është një farë krenarie, po interesohen të gjithë për të”, thotë bashkëshortja e mësuesit.