“Populli duhet me nda bukën prej gojës e me ia dhënë ushtarëve tanë”, kështu thonë qytetarët, të cilët po vizitojnë sot Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës “Adem Jashari”, me rastin e Ditës së Forcës.
Qindra qytetarë, të rinj, të moshuar, e fëmijë po marrin pjesë sot në “Ditën e hapur” e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK.
Ramadan Qeriqi nga fshati Krajmir i Skenderajt tregoi se ka ardhur nga Suedia për të marrë pjesë sot në këtë organizim.
Ai u shpreh krenar dhe i gëzuar me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Ushtrinë e Adem Jasharit me e lënë pa bukë, ne populli duhet me heq bukën prej gojës me ua sjellë këtu,” tha Qeriqi derisa komentoi raportimet lidhur me situatën për ushqimin e ushtarëve të FSK-së.
Qeriqi: Shumë jam krenar, shumë i gëzuar
“Ne kemi dalur sot t’ia urojmë festën të gjithë shqiptarëve kudo që janë anë e mbanë botës…Shumë jam krenar, shumë i gëzuar që nuk e përshkruan as lapsi sa jam i gëzuar që jam sot këtu. Kurrë nuk kam mundur të marrë pjesë, unë jetoj në Suedi prej 1991. U bënë disa vite atje, sot këtu po marr pjesë, ditën e kësaj date (Ditën e Forcës). Lavdi Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve…Shumë janë të mirë (ushtarët), jam i kënaqur shumë. Kam qenë me i vizitu para një muaji e gjysmë, më beso më kanë pritur mirë, 10 vjet ymer mi kanë shtuar. Por një nuk jam i kënaqur që disa pengesa po ia bëjnë për ushqim e disa gjëra. Shumë më vjen keq, ushtrinë e Adem Jasharit me e lënë pa bukë, ne populli duhet me heq bukën prej gojës me ua sjellë këtu, ushtrisë tonë të Adem Jasharit”, tha Qeriqi.
E ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Brigadën 114, Fidaim Berisha tha se nuk ka ditë më të mirë se ajo e ushtrisë.
“S’ka shtet pa ushtri” u shpreh Berisha derisa u pyet për rëndësinë e ushtarëve të FSK-së për vendin tonë.
Berisha: Ditë më të madhe nuk ka
“Ditë më të mirë nuk ka, shpresoj veç ta gëzojmë, e trashëgojmë. Po kënaqem kur po vij. S’ka peshë, s’mund ta përshkruajë njeri, ditë më të madhe nuk ka…S’ka shtet pa ushtri, bukën duhet me nda për ushtri”, u shpreh Berisha.
Qytetari Kushtrim Ramadani tha se shënimi i kësaj dite është emocion për të gjithë shqiptarët.
Ai potencoi se është krenari dhe privilegj të kesh ushtarë të tillë siç e ka Kosova, të cilët mbrojnë territorin e vendit tonë.
Ramadani: Dëshiruam t’i vizitojmë ushtarët e Kosovës
“Kemi ardhur së bashku me djalin, është duke ardhur edhe vajza me organizim të shkollës…Dëshiruam t’i vizitojmë ushtarët e Kosovës dhe ta festojmë Ditën e Forcës. Është një ditë para festës së 28 nëntorit është emocion për të gjithë shqiptarët besoj, është një ndjenjë e veçantë, sepse pa ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk do të ishte as Ushtria e Forcës që është tani. Është krenari por edhe privilegj qe i kemi ushtarët e Kosovës të cilët e mbrojnë territorin e Republikës sonë. Të jemi bashkë drejt një qëllimi, e qëllimi është bashkimi i trojeve shqiptare”, u shpreh Ramadani.
Ndërkaq, Vesel Samadraxha shprehu emocione derisa foli me krenari për ushtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Samadraxha: Tash jemi në liri duhet me gëzu, prandaj edhe jemi të emocionuar
“Është gëzim shumë i madh, emocione shumë të forta, prandaj kemi dalur sot këtu edhe me nxënësit t’i vizitojmë dhe t’i shprehim ato emocionet tona që i kemi për ushtrinë e forcës…Jemi krenar shumë, kemi qenë në robëri, tash jemi në liri duhet me gëzu, prandaj edhe jemi të emocionuar”, tha Samadraxha.
Ndër shumë vizitorë, duke brohoritur “UÇK” dhe “FSK” e duke kënduar himnin e Shqipërisë e këngë të ndryshme patriotike, nxënës të shkollave fillore nga e gjithë Kosova po vizitojnë ambientet e FSK-së në kuadër të Ditës së Forcës.