Pas sulmit të mbrëmshëm me granata ndaj stacionit të Policisë së Kosovës në Zveçan, është deklaruar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Ai tha se nuk mund të flasë nëse ka të dyshuar rreth këtij incidenti, por bëri të ditur se njësitë e hetimeve të rajonit të veriut së bashku me ato të Prishtinës janë duke zhvilluar intervistime rreth këtij rasti.
Sipas tij, situata vazhdon të jetë e qetë, por delikate për shkak të zhvillimeve të shumta në veri.
Elshani: Situata në veri e qetë, por delikate
"Për momentin nuk mund të themi nëse kemi dyshime për persona të caktuar, sidoqoftë në këtë moment kur në flasim këtu njësitë e hetimeve të regjionit tonë së bashku edhe me ato të Prishtinës janë duke zhvilluar intervistime, duke kryer detyrat e veta policore, duke mbledhur informacione, në mënyrë që ta ndriçojnë këtë rast... Situata në veri të vendit vazhdon të jetë e qetë, është delikate për shkak të zhvillimeve të shumta që kanë ndodhur që nga viti 2022 e deri tani", ka thënë Elshani.