Rast i rëndë në Burgun e Dubravës, i burgosuri 20-vjeçar dhunohet seksualisht nga dy të burgosur

Aktuale

Rast i rëndë në Burgun e Dubravës, i burgosuri 20-vjeçar dhunohet seksualisht nga dy të burgosur

Më: 27 nëntor 2024 Në ora: 16:34
Foto ilustrim

Rastet e ngacmimeve, sulmeve e dhunimeve seksuale kanë marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, ku zakonisht viktima janë vajzat e gratë. Mirëpo pre e dhunës seksuale rastis të jenë edhe burrat dhe ngjarje të tilla janë raportuar të kenë ndodhur në burgjet e Kosovës.

Kështu dyshohet të ketë ndodhur së fundmi në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku një i burgosur ka raportuar se është dhunuar seksualisht nga dy të burgosur të tjerë

Burimet e medias kanë bërë me dije se viktima është një i burgosur 20-vjeçar dhe e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në dhomën ku ai ishte caktuar me dy të burgosur të tjerë.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se bazuar në dëshminë e të burgosurit (emër i njohur për redaksinë), dy të burgosurit e kanë dhunuar në orët e mbrëmjes, pasi ishte mbyllur dera e dhomë – periudhë kjo që e kanë shfrytëzuar për të abuzuar seksualisht me të.

Pasi Policia është vënë në dijeni, hetuesit policorë kanë intervistuar viktimën, i cili ka rrëfyer gjithë tmerrin që ka përjetuar dhe më pas i njëjti është dërguar për ekzaminimet e nevojshme mjekësore.

Lidhur me rastin, deri më tash nuk është intervistuar asnjë i burgosur si i dyshuar, ndonëse viktima ka përmendur dy emra (emra të njohur për redaksinë), që pritet të konfirmohen tutje.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Dhunim’ dhe do të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.

Kujtojmë se raste të tilla, por edhe incidente të tjera në qendrat korrektuese, po shpërfaqin (pa)sigurinë në burgje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat