Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, konsideron se Albin Kurti duhet të fitojë edhe një mandat si kryeministër, në mënyrë që të vazhdojë punët e mira që, sipas tij, janë bërë gjatë kohës sa ai po udhëheq vendin.
Muja, ka numëruar disa nga arsyet se pse Albin Kurti duhet të fitojë edhe një mandat si kryeministër, duke thënë se gjatë qeverisjes së tij ka pasur siguri dhe mbrojtje, derisa shton se “Albin Kurti e ka demonstruar me rezultatin e tij se, përkundër presionit, ka rikthyer veriun. (2) Për shkak të sundimit të ligjit. (3). Zhvillimi ekonomik. (4) Mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
Duke folur për disa nga arsyet se pse qytetari duhet ta votojë Albin Kurtin në zgjedhjet e 9 shkurtit, Muja u shpreh se kryeministri është i përkushtuar në katër drejtime, të cilat duhet të vazhdojnë edhe në mandatin tjetër.
“E para, që është jashtëzakonisht e rëndësishme, është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. E dyta, që është po ashtu e rëndësishme, është barazia shoqërore – barazia sociale dhe mundësitë e barabarta për secilin, pa marrë parasysh prejardhjen, ose secili duhet të ketë mundësi për të kontribuar në Kosovë. E treta është përmirësimi i sigurisë. Dhe e fundit është sundimi i ligjit”, theksoi ai.
Sipas Mujës, Kosova nën udhëheqjen e Kurtit ka bërë disa përmirësime të dukshme edhe në veri, dhe sipas tij, këto janë fakte që nuk mund të mohohen.
“Këto i sheh po ashtu edhe në vende të komplikuara, siç ka qenë veriu i vendit. Kemi fituar beteja të rëndësishme, të neglizhuara që 25 vite. Tjetër është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. Është shumë e rëndësishme zhvillimi ekonimik”, u shpreh ai.
Muja pohoi se me qeverisjen e Kurtit është dyfishuar edhe buxheti i shtetit.
Në “Përballje”, Muja ka folur edhe për tema tjera të rëndësishme, si dhe për akuzat që po bëhen nga opozita për kontratat njëburimore.