Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, ka thënë se nëse nuk është bërë për qëllime të fushatës zgjedhore vendimi për të nisur procesin drejt hapjes së një fabrike për prodhimin e municionit është një lajm i mirë.
Kadriu është shprehur se ka të drejtë të mendoj kështu pasi sipas saj kryeministri Kurti në katër vjet të qeverisjes së tij nuk ka e ka realizuar asnjë premtim të dhënë.
“Nëse është i vërtetë është lajm i mirë. Nëse nuk është bërë për qëllime të fushatës zgjedhore dhe të përfundojë këtu me këtë reklamën që është bërë ditën e sotme, ne çdo të arritur të Kosovës sidomos kur ka të bëjë me fushën e sigurisë e mirëpresim, e përshëndesim dhe e përgëzojmë. E thash duke u bazuar në katër vjetët e qeverisjes së Kurtit dhe premtimet që i ka dhënë gjatë fushatave zgjedhore dhe duke e parë se ka ngecje në çdo segment të jetës dhe të fushëveprimtarisë duke mos e realizuar asnjë premtim që e ka proklamuar gjatë fushatave zgjedhore”, ka thënë ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fillim të mbledhjes të së mërkurës të Qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se ka nisur procesin drejt hapjes së një fabrike për prodhimin e municionit dhe për laboratorë për dizajnim të fluturakeve pa pilotë, të njohur si dronë.
Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se për këtë projekt janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në, dhe se Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka asistuar me një “raport fizibiliteti”.