Nis dëshminë Sokol Bashota

Aktuale

Nis dëshminë Sokol Bashota

Më: 28 nëntor 2024 Në ora: 11:13 Përditësuar në ora: 13:35 më 28.11.2024
Foto nga Specialja, dëshmitarët

Nis dëshminë Sokol Bashota të cilit Sepcialja i dha garanci që dëshmia e tij s’do përdoret për ta ndjekur penalisht, përfaqësohet nga avokati Artan Qerkini

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhsK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari Sokol Bashota, i cili mban kodin W04401 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kraniqit.

Ky dëshmitar është i përfaqësuar nga avokati kujdestar nga Kosova, Artan Qerkini. Bashotës iu dhanë garanci nga trupi gjykues që dëshmia e tij nuk do të përdoret për ta ndjekur atë penalisht, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë klientin tim e kam njoftu për të drejtat që ka sipas Rregullës 151 dhe kjo është pikërisht çështja e parë që desha ta ngris, ka të bëjë pikërisht me privilegjin e mosinkriminimit sipas Rregullit 151, paragrafit 3. Kërkoj që fillimisht gjykata ta merr një vendim lidhur me këtë çështje dhe pastaj të procedohet tutje”, tha Qerkini.

Gjykatësi Charles Smith III kërkoi sqarim nga avokati Qerkini në rast që kjo deklaratë e tij nënkupton që ai po kërkon garanci për klientin e tij. Ndërsa, avokati u përgjigj me “po”.

Fillimisht, Smith ia kujtoi dëshmitarit se ai është i thirrur që të japë dëshmi dhe është i detyruar që ta thotë të vërtetën. Ndërsa, në rast që nuk e bën këtë, ai tha  se do të merren masa ndaj tij.

Lidhur me kërkesën për ofrimin e garancisë se ajo që do të thotë dëshmitari nuk do të rezultojë me ndjekjen penale të tij, nuk pati kundërshtime Prokuroria, e përfaqësuar nga prokurori Matt Halling.

“Trupi gjykues konstaton se duke marrë parasysh dëshminë e parashikuar të dëshmitarit, relevancës unike për çështjen dhe natyrës së kufizuar të informacionit inkriminues, ne vlerësojmë se kriteret e Rregullës 151, paragrafi 2, përmbushen. Për rrjedhojë, trupi gjykues e detyron dëshmitarin që të japë dëshmi. Në pajtim të Rregullës 151, paragrafi 3, trupi gjykues e garanton ose jep garancitë e veta për dëshmitarin që të japë dëshmi në përgjigje të pyetjeve relevante që; a) do të jepen me dyer të mbyllura me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë nuk kërkohet dhe nuk do të nxjerren në një mënyrë për publikun në Kosovë apo palë të treta dhe b) nuk do të jepen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë kundër personit në ndjekje penale pasuese nga ZPS përveçse sipas Ligjit dhe Rregullores”, tha Smith.

Ndërsa, gjykatësi kërkoi nga dëshmitari dhe avokati kujdestar që të tregojnë se në çfarë forme dëshirojnë që të zhvillohet seanca.

“A ka ndonjë shqetësim sa i takon mbajtjes së seancës me dyer të mbyllura, në kuptimin që të mbyllet galeria dhe informacioni të mos jepet për publikun? A dëshironi që të vazhdohet në seancë të mbyllur apo deklarata e klientit tuaj të jepet në seancë publike?”, pyeti Smith.

Qerkini tha se nga konsultimet që ka pasur me klientin e tij, ai ka vendosur që të dëshmojë në seancë publike.

“Ai ka vendos që të dëshmojë në seancë të hapur dhe t’i hiqen të gjitha ato masat mbrojtëse të caktuara nga gjykata” tha Qerkini.

Si rrjedhojë, pyetjet për dëshmitarin i filloi përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori Matt Halling i cili kërkoi të pranohen në prova materiale deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët, së bashku me materialet përcjellëse, gjë e cila u pranua nga trupi gjykues.

Kurse, dëshmitari i mbrojtur, i cili ishte i 108-ti me radhë, e ka përfunduar dëshminë.

Në seancë private, dëshmon dëshmitari i 108-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

]Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë në seancë private, dëshmitari i 108-të në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar mban kodin W04820 dhe pyetjet për atë i ka filluar prokurori Cezary Mihailzcuk, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, deklaratat e dëshmitarit, së bashku me materialet përcjellëse dhe shënimin përgatitor, u pranuan në prova materiale pasi që nuk pati kundërshtime nga ana e mbrojtjes.

Gjithashtu, u vendos që konfidenciale të jenë edhe datat e këtyre deklaratave, me qëllim që të  mbrohet dëshmitari.

Ndërsa, prokurori nuk lexoi ndonjë përmbledhje në publik për këtë dëshmitar.

Kujtojmë se meqenëse sot është 28 Nëntori, ish-krerët e UÇK-së, në këtë seancë u paraqitën me kollare me motive kombëtare. Madje, ajo e Selimit mbante emblemën e UÇK-së.

Halil Çadraku përfundon dëshminë në Hagë, Prokuroria pushon hetimet ndaj tij

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar hetimet ndaj Halil Çadrakut dhe kjo është bërë e ditur sot nga përfaqësuesi i tij, avokati Arianit Koci.

Avokati, të enjten në Hagë kërkoi që ky vendim të bëhet publik meqë publiku e di që tashmë Çadraku ka qenë nën hetime, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Meqenëse klienti im e ka marrë vendimin prej Prokurorisë që kanë pushu hetimet ndaj tij për veprat të cilat është dyshu. Aty vendimi shkruan që ëshë konfidencial, unë kërkoj nga gjykata që të na bëjë të mundshme që të na bëjë publike që janë pushuar hetimet ndaj tij, do të thotë të jemi të sigurt që nuk po bën ndonjë shkelje dhe kërkoj leje nga gjykata”, tha Koci.

Që ky vendim të bëhet publik, nuk pati kundërshtime nga prokurori James Pace.

Përpara kësaj deklarate të Kocit, dëshmitari Çadraku përfundoi dëshminë në Hagë, e cila zgjati katër ditë.

Gjatë pyetjeve të avokatit të Kadri Veselit, Rodney Dixon, dëshmitari tha se nuk e di se çfarë informacione i ka dhënë Tahir Sinani dhe Komandant Drini, Shtabit të Përgjithshëm. Po ashtu, ai tha se as Shtabi i Përgjithshëm nuk e di se çfarë informacioni kanë marrë nga zona e tij dhe se çfarë kanë bërë me to.

“Nuk e dija”, tha dëshmitari kur u pyet se a është e vërtetë që ai nuk e dinte se si funksiononte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Ai shtoi se për pesë muaj sa ishte shef i G2-shit në Zonën Operative të Pashtrikut,  nuk ka marrë udhëzime dhe as urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm.

Pyetje shtesë pati edhe mbrojtja e Thaçit përmes avokates Nina Tavakoli, për të vazhduar më pas mbrojtja e Selimit, përmes avokatit Eric Tully.

Ndërsa, avokati Aiden Ellis që përfaqëson Jakup Krasniqin u ndal tek pyetjet e gjyqtarit Mettraux lidhur me vrasjen e komandant Drinit- Ekrem Rexhës.

Dëshmitari ishte pyetur lidhur me akuzuat që binin mbi të lidhur me këtë çështje dhe disa persona tjerë, duke përfshirë edhe Salih Veselin.

Çadraku kishte thënë se ai ishte shpallur i pafajshëm ndërsa Salih Veseli ishte dënuar me 15 vjet burg, ndërsa pas një viti ishte liruar pasi ishe shpallur i pafajshëm.

Gjyqtari kishte pyetur dëshmitarin se a është e vërtetë që Salih Veseli ishte rigjykuar dhe ishte shpallur fajtor përsëri. Lidhur me këtë, Çadraku kishte thënë se nuk i kujtohet.

“Më kujtohet pyetja e gjyqtarit për këtë temë. Më kujtohet edhe fjala ime që i kam thënë se të gjithë grupi duke përfshirë Salih Veseli, Abit Hazirajn, Xhemajli Beqirajn dhe mua janë liruar të pafajshëm. Ai (Veseli) është liruar pas katër vitesh, ndërsa unë jam liruar menjëherë në gjykimin e parë . Prapë e dëshmojë që i gjithë grupi janë liruar të pafajshëm edhe pse pak me vonesë”, tha Çadraku, duke shtuar se pafajësia e Veselit është vërtetuar në shkallën e tretë.

Dëshmitari tha se është e vërtetë që nuk është përfshirë në rigjykim pasi është shpallur i pafajshëm.

Seanca pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të 108-të.

Ndryshe, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, avokati Koci tha se vendimi lidhur me Çadrakun është i rëndësishëm për të gjitha proceset që po zhvillohen në Hagë.

“Ky vendim është një zhvillim i rëndësishëm dhe i mirëpritur, jo vetëm për z. Çadraku dhe familjen e tij, por edhe për të gjitha proceset e tjera që po zhvillohen në Hagë. Pushimi i hetimeve pasqyron një vlerësim të drejtë dhe të paanshëm të fakteve dhe rrethanave të rastit. Ekipi ynë mbrojtës ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet relevante gjatë gjithë procesit dhe ka qenë i bindur për pafajësinë e klientit tonë. Shpresojmë që ky rast të shërbejë si një shembull i rëndësisë së respektimit të të drejtave të individit dhe zbatimit të drejtësisë së paanshme në të gjitha nivelet”, shkruan ndër të tjera Koci.

Avokati Koci në Hagë: Dje nuk jam lejuar ta kryej detyrën time si duhet

Avokati Arianit Koci, i cili përfaqëson dëshmitarin Halil Çadraku në Hagë, në fillim të seancës së të enjtes në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka thënë se ka përshtypjen që të mërkurën nuk është lejuar që ta kryejë detyrën e tij si duhet.

Ai tha se në kohën kur u mor në pyetje klienti i tij nga gjyqtari Guénawl Mettraux, ai si avokat e kishte ngritur dorën disa herë por që thjesht është injoruar.

Kam përshtypjen që dje nuk jam lejuar ta kryej detyrën time si duhet. Gjatë marrjes në pyetje të klientit tim kur gjyqtari Mettraux ishte duke e marrë në pyetje, e kam ngritë disa herë dorën. Jam injoru thjesht dhe nuk keni marrë vendim me ma ndalu pyetjen. Qëllimi im ka qenë që ta parandaloj që publikisht në kamera të flitet për dënimin e tij për armëmbajtje pa leje, dënim i cili sipas ligjit është i rehabilitum dhe së paku nuk duhet të flitet në publik për këtë çështje. Këtë vërejtje e bëra dhe nuk kam prit që kjo të del publikisht në kamera. Kërkoj që të hiqet kjo”, tha avokati Koci.

Ndër tjerash, avokati Koci kërkoi që klienti i tij të trajtohet me dinjitet dhe ndjeshmëri.

“Është hap tema e dënimit të Salih Veselit. Gjyqtari, po parafrazoj që ka thënë ‘Salih Veseli është dënu’. Klienti im ka thënë që ai është dënu, por më vonë është liru. Gjyqtari me një pyetje me nënkuptim të përgjigjes ka thënë ‘po veç pastaj prapë është dënu’. Prej këtij pozicioni të autoritetit të gjyqtarit dhe prej pozicionit që është klienti im, ky ka thënë nuk e di edhe pse në fillim ka thënë që është liru. Unë kam dashtë me e vërtetu këtë çështje e nuk kam reagu menjëherë. Unë e kam vërtetu sot përfundimisht që Salih Veseli ishte i liruar. Dje e pash në burime publike. Prandaj, kërkoj që me një dinjitet dhe ndjeshmëri për shkak të pozicionit që e ka klienti im të trajtohet në atë formë. Kërkoj falje për këtë ndërhyrje time, por besoj që kjo ka qenë detyra ime”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se nuk mohohet fakti që Salih Veseli është dënuar njëherë edhe pse është liruar më vonë.

Pyetja që është bërë dje ishte ‘a është dënuar’, përgjigjja është që ‘po është dënuar’. Fakti që është liruar më vonë nuk e ndryshon faktin që zotëria është dënuar njëherë”, tha Smith.

Edhe pse dje paralajmëroi se ka pyetje, Zyra e Prokurorit të Specializuar sot njoftoi që i ka përfunduar pyetjet e saj për dëshmitarin Çadraku. Ndërsa, për t’i bërë disa pyetje tjera sqaruese vazhdoi sot ekipi mbrojtës i Veselit, përmes avokatit Rodney Dixon.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat