​“E papërshkrueshme ndjenja që përcjell kjo datë”, vizitorët të emocionuar në Prekaz

Aktuale

​“E papërshkrueshme ndjenja që përcjell kjo datë”, vizitorët të emocionuar në Prekaz

Më: 28 nëntor 2024 Në ora: 11:32
Prekaz.

Në nder të 28 nëntorit, Ditës së Flamurit të Shqipërisë, daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ditëlindjes së komandantit legjendar, Adem Jashari, qytetarë të shumtë, duke përfshirë edhe ata nga Shqipëria e Maqedonia por edhe vendet të tjera kanë vizituar varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

Disa nga ta kanë ardhur për herë të parë në vendin ku ranë heroikisht 59 anëtarët e familjes Jashari, për çka shprehën emocion e krenari.

Zhaklina Ibrahimi tregoi se nuk e ka vizituar asnjëherë më parë Prekazin, për çka tha se data e 28 nëntorit është ndër me të rëndësishmet.

Ibrahimi: Hera e parë që kam ardhur dhe pata shumë emocione

“Fatkeqësisht është hera e parë që kam ardhur dhe pata shumë emocione, duke filluar prej kullave. Arsyeja tjetër pse erdhëm është se vajza pati vrapimin që mbahet për nder të Adem Jasharit dhe erdhëm me shpreh respektin dhe falënderimin tonë. Shumë emocion, shumë e rëndësishme, jo vetëm për shkak të Adem Jasharit por edhe 28 nëntorit, që të gjitha lidhen për ato që i kemi sot. Kemi ardhur prej Gjilanit”, tha Ibrahimi.

Edhe Jakup Veseli bashkë me shokët e tij nga Maqedonia e Veriut tha se disa prej tyre po shkelin tokën e Prekazit për herë të parë.

Ai potencoi se kanë lexuar e parë dokumentar rreth sakrificës së Jasharajve, porse shtoi se është emocion i veçantë vizita fizikisht.

Veseli: Është shumë emocionuese, kur i viziton këto vende të shenjta

“Ne kemi ardhur me disa shokë prej Maqedonisë së Veriut, për disa shokë është hera e parë që vijmë këtu, e kemi parë prej dokumentarëve, por është ndryshe kur e prekë fizikisht prej afër vendit…Është shumë emocionuese, kur i viziton këto vende të shenjta, konkretisht të familjes Jashari…Kemi e lexuar edhe gjatë studimeve, kemi kuptuar se çfarë është sakrifica për liri”, u shpreh Veseli.

Se 28 nëntori është ditë e madhe për të gjithë shqiptarët e pohon qytetari Zafer Gashi.

Ai u shpreh se është detyrë e të gjithë qytetarëve të Kosovës që të përcillet porosia e komandantit Adem Jasharit dhe heronjve të kombit për ta quar përpara vendin.

Gashi: Rini është ajo që do ta qojë amanetin në fund me dije

“Është një ditë e madhe, jo vetëm për mua por për të gjithë shqiptarët. Është ditëlindja e komandantit legjendar, është dita e flamurit, një ditë e madhe për të gjithë shqiptarinë. Prandaj, kemi emocione çdo herë kur vijmë në këtë ditë, por edhe krenari të madhe. Kjo ditë lidhet edhe me paraqitjen e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj ndjemë emocione të shumëfishtë. Prandaj, është detyrë e jona që ta përcjellim këtë porosi të Adem Jasharit dhe heronjve të kombit se vendi ynë duhet të përparojë dhe ne të gjitha brezat duhet ta duam vendin tonë, Kosovën tonë. Rini është ajo që do ta qojë amanetin në fund me dije, shkollim dhe përparim duke u pasuruar me dijeni”, tha Gashi.

Ndërkaq, Raif Halili tha se është e papërshkrueshme ndjenja që përcjell kjo datë.

Halili: S’kam mundësi ta përshkruaj çfarë emocione kemi

“Për së tepërmi është e rëndësishme. Jemi prej komunës së Gjilanit, fshatit Dobërqan. Kemi ardhur ta vizitojmë. Për çdo vit vijmë. Sa është emocion dhe krenari t’i vizitoni varrezat? Për besë nuk mund ta përshkruajë, s’kam mundësi ta përshkruaj çfarë emocione kemi. Është diçka e veçantë”, Halili.

Përveç tyre, krerë të qeverisë dhe partive opozitare kanë bërë homazhe në varrezat e Jasharajve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat