Në fshatin Llaushë të Skënderajt, aty ku doli për herë të parë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), sot më 28 nëntor në nder të kësaj dite është përuruar memoriali që mbanë ngjyrën ar, logon e UÇK-së dhe mbishkrimin “Dalja e parë publike e UCK-së”.
Para 27 viteve, në varrimin e mësuesit Halit Geci, i cili u vra nga forcat serbe, u lexua deklarata e UÇK-së nga Rexhep Selimi, i cili në krah kishte edhe dy ushtarët e tjerë, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi.
Në ceremoninë e përurimit të memorialit e organizuar nga komuna e Skenderajt morën pjesë qindra qytetarë, ish-ushtarë të UÇK-së, familje të dëshmoreve, veteranë e invalid të luftës së fundit në Kosovë, por edhe figura të tjera politike.
Nismëtari i iniciativës për ndërtimin e memorialit dhe njëkohësisht ish-nxënësi i Halit Gecit, Arbër Geci tregoi historikun e daljes publike për herë të UÇK-së, konfrontimet mes forcave serbe në Vajnikë e mes maleve të Llaushës.
“Pas shumë diskutimesh e idesh se nga do të sulmohen forcat serbe, të gjithë në krye me komandantin Adem Jasharin vendosën të zënë pozicionin në mes të maleve të Llaushës dhe Rezallës së Re. Si pozitë më e përshtatshme për të pritur forcat serbe të cilat mendohej se do të vinin nga qyteti i Skenderajt. Andaj siç pajtohen rreth orës 04:00 të mëngjesit, plotë 22 ushtarë të UÇK-së të gjithë të armatosur me vullnet të hekurt e ideale të qartë pozicionohen në katër pika të maleve përreth Llaushës dhe Rezallës së Re…Trimat e UÇK-së siç edhe ishin dakorduar një natë me herët më të hyrë komvojë në mes pozicioneve të tyre fillojnë gjuajtjet e forcave nga të gjitha anët. Përreth dy orë luftimesh, forcat serbe me ndihmë edhe të helikopterit arrijnë të tërhiqen mbrapa… forcat serbe gjuajnë me armë në të dy anët e rrugës në Llaushë duke mos kursyer as shkollën. Me ç’rast mbesin të plagosua mësuesit Halit Geci dhe Shaban Rreci”, tha Geci.
Arbër Geci, djali i ish-komandantit të UÇK-së Jetullah Geci, u shpreh se vrasja e mësuesit Halit ishte një dhimbje për të gjithë, porse u vlerësua moment ideal për të treguar se UÇK-ja ishte prezente, e fortë dhe vepronte në çdo pjesë të Kosovës.
Mes tjerash, Geci potencoi se ky memorial dhe shumë të tjerë duhet të trajtohen si vende të shenjta, përmes së cilave përkujtohet sakrifica e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Vrasja e mësuesit Halit ishte dhimbje për të gjithë por u pa si moment ideal për të treguar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte prezentë, e forte dhe që vepronte në çdo pjesë të territorit të Kosovës...Pas daljes në skenë para qindra mijëra njerëzve, UÇK-ja fitoi njohje dhe mbështetje të gjerë nga populli shqiptar brenda dhe jashtë Kosovës…Ky memorial dhe shume memoriale të tjera duhet të trajtohen si vende të shenjta, kur përmes tyre të kujtojnë sakrificën, mundin dhe heroizmin e dëshmorëve dhe ushtarët e UÇK-së dhe për të frymëzuar brezat e ardhshëm e për të çmuar dhe mbrojtur lirinë e fituar me shumë mund e gjak”, potencoi Geci.
Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura tha se shfaqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila nuk duroi padrejtësitë, vrasjet e persekutimet u bë në ditën më të rëndësishme për popullin shqiptar, 28 Nëntor.
Nura u shpreh i lumtur për inaugurimin e memorialit, ngase sipas tij kjo vë në pah ruajtjen e vlerave të luftës çlirimtare në momentin kulmor të 27 viteve më parë, daljen publike për herë të parë të UÇK-së.
“Sot mes ndjesisë së respektit për këtë moment të rëndësishëm të historisë së Kosovës jam i lumtur që po përmbushim një zotim i cili vë në pah ruajtjen e vlerave të luftës sonë çlirimtare në momentin kulmor të 27 viteve më parë, kur në praninë e mijërave shqiptarëve në varrimin e mësuesit hero Halit, i cili u vra nga policia dhe ushtria serbe u shfaqën tre burra të uniformuar dhe të armatosur. Ky ishte momenti historik i daljes së parë publike të UÇK dhe autorësisë së saj drejtë lirisë së vendit. Shfaqja e kësaj ushtrie që buronte nga populli i shtypur që nuk mundte të duronte padrejtësinë, vrasjen, persekutimet e dëbimet në ditën e rëndësishme të popullit shqiptar, më 28 nëntor, në ditën e festës së flamurit kombëtar”, tha Nura.
Derisa kujtoi komandantin legjendar, Adem Jashari, tre luftëtarët që shpallën publikisht UÇK-në dhe ata që dhanë kontribut në luftën e fundit, Nura tha se ky moment do të shërbejë si fakt historik i lavdisë dhe krenarisë së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi të Kosovës.
“28 Nëntori i sotëm ngërthen shumë ngjarje…Ky moment i cili na ka bërë bashkë në festën më të madhe të shqiptarëve do të shërbejë si fakt historik i lavdisë dhe krenarisë së popullit shqiptar dhe aspiratave të tij për liri dhe pavarësi të Kosovës. UÇK ishte faktori i cili për herë të parë në historinë tonë kombëtare bëri të mundur një aleancë ushtarake kombëtare shqiptare perëndimore , prandaj sot e përgjithmonë jemi mirënjohës për sakrificën e secilit që dha kontribut për lirinë e Kosovës”, tha Nura.
Ndërkaq, të pranishëm ishin kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, nënkryetarja Vlora Citaku, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe nënkryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku dhe figura të tjera politike. Ceremonia u përcoll me këngë patriotike e valle.