Nën ftohjen e raporteve mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po festohet 28 nëntori - Dita e Flamurit Kombëtar. Përkundër që kryeministri Kurti mori pjesë sot në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë, me rastin e 112 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, raportet mes dy homologëve po konsiderohen se janë në pikën më të ulët për shkak të qëndrimeve të kundërta dhe përplasjeve në distancë, kryesisht për dialogun Kosovë-Serbi dhe raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë.
Analistë politik në Shqipëri konsiderojnë se periudhat e tensionit dhe përplasjeve ndërmjet dy kryeministrave kanë krijuar një atmosferë të ftoftë edhe ndërmjet dy vendeve. Mirëpo, në partinë në pushtet në Kosovë, Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se përkundër dallimeve siç i quajnë ata në nuanca të Kurtit me Ramën, bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë vetëm sa po thellohet.
Analisti politik në Shqipëri, Ben Andoni, thotë për KosovaPress se momentalisht Shqipëria dhe Kosova nuk kanë marrëdhënie të afërta, madje sipas tij, sa më shumë që po kalon koha e ftohjes së raporteve ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe homologun të tij kosovar, Albin Kurti, aq më shumë po shikon dallime.
Ai thotë politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të marrin shembull të bashkëpunimit dy akademitë e shkencave të cilat po punojnë bashkërisht për projektin e enciklopedisë.
“Kjo marrëdhënia jonë nuk është aq e afërt. Më vjen keq që sa më shumë kalon koha aq më shumë shikoj dallime. Përjashtim bëjnë dy akademitë tona të shkencave që tani po punojnë për projektin e enciklopedisë. Kjo është shenjë e mirë pasi po ngritët një model që duhet të ndjekin dhe politika dhe fushatat të tjera. Kjo pjesa e zbatueshmërisë ka qenë më shumë nga zotëri Kurti, kur tha se duhet të shikohet sa ka qenë zbatimi i marrëveshjeve të arritura...Kjo e bën marrëdhëniet tonë të ftohtë dhe çdo vit që po kalon po bëhet akoma më e ftoftë”, thekson ai.
Mirëpo, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, thotë se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është në nivelin e duhur, përkundër dallimeve shpeshherë në qëndrime të kryeministrave Rama-Kurti.
“Bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë e shoh në këndin pozitiv, pa çka se për disa prej temave mund të ketë qëndrime apo këndvështrime që mund të ketë nuanca dallimi, qoftë nga qeveria e Shqipërisë apo qeveria e Kosovës”, thekson Hyseni.
Ai përmend nismat diplomatike të Kosovës, ku sipas tij bashkëpunimi me delegacionin e Shqipërisë ka qenë i shkëlqyer.
Krahas kësaj, deputeti nga shumica parlamentare thotë se marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy vendeve po zbatohen dhe se po rriten shkëmbimet tregtare.
“Kur kemi të bëjmë me nismat që janë diplomatike të Republikës së Kosovës, nivelin e bashkëpunimit ndërmjet delegacioneve në kuadër të instancave ndërkombëtare ne jemi një, jemi një zë dhe nuk dallon asgjë qoftë përfaqësimi që bëhet nga Shqipëria apo nga zyrtarët e Kosovës. Këtë e kam nga eksperienca në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s ku me delegacionin nga Shqipëria kishim bashkëpunim të mirë përgjatë gjithë këtyre viteve. Kjo rezultoi me sukës pasi u avancua statusi të delegacionit tonë. Ne vijojmë bashkëpunimin e mirë sidomos edhe në fushën e ekonomisë. Ju e dini që shkëmbimet tregtare me Shqipërinë tani janë në nivel rekord, duke bërë që të zëvendësohen shumë prej produkteve që kemi importuar nga Serbia”, shton ai.
Kosova dhe Shqipëria nën udhëheqjen e kryeministrave Kurti dhe Rama - pothuajse katër vite kanë mbajtur vetëm dy mbledhje të qeverive.
Kosova dhe Shqipëria deri tani kanë nënshkruar një sërë marrëveshjes për thellim të bashkëpunimit dhe lehtësim të barrierave tregtare.
Mirëpo së fundmi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shpesh herë kanë pasur qëndrime në ndryshme, sidomos në raport me dialogun me Serbinë dhe veprimet e Kosovës në veri si dhe raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë.