Teuta Kodra-Millaku do të jetë kandidate për deputete nga radhët e AAK-së në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), njëherësh kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj në një konferencë sot për media.
Haradinaj tha se Kodra-Millaku është vajza e gjeneralit të UÇK-së Fadil Kodra.
Haradinaj: Me familjen Kodra kemi rrugëtuar në shërbim të atdheut
“Na nderon sot nominimi për deputete i zonjës Teuta Millku, e cila është vajza e gjeneralit Fadil Kodra. Me familjen Kodra dhe gjeneralin Fadil Kodra ne rrugëtojmë gjatë, një jetë në shërbim të atdheut, kombit dhe lirisë. Sot për mua është nder i madh të shpallim kandidaturën e zonjës Millaku. Gjeneral Fadil Kodra është ndër themeluesit e UÇK-së, bashkëluftëtar i komandantit legjendar Adem Jashari”, tha ai.
Kandidatja për deputete Kodra-Millaku tha se do t’i përmbushë detyrat që ka vendi dhe shoqëria.
Millaku: Do të mundohem t’i përmbushë detyrat që ka vendi e shoqëria
“Gjatë rrugëtimit tonë do të mundohem maksimalisht që të përmbushen detyrat që ka nevojë vendi dhe shoqëria. Ju falënderoj për mbështetjen e dhënë dhe shpresojmë që s’do t’i dëshpërojmë popullin tonë”, tha ajo.
Një fjalë rasti mbajti edhe gjenerali Fadil Kodra, i cili tha se ajo çka i ka bashkuar me AAK-në lidhet me të kaluarën për liri dhe pavarësi, por edhe aspiratat për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike.
Kodra: Rrugëtojmë së bashku drejt hyrjes në BE dhe NATO
“Ajo çfarë na ka bashkuar, padyshim, që lidhet me të kaluarën dhe sakrificën për liri. Ne, qëndruam së bashku në të kaluarën dhe jemi sot do të rrugëtojmë së bashku. Jemi të obliguar të rrugëtojmë së bashku në anëtarësimin në NATO dhe BE”, tha ai.