Stërnipi i Ismail Qemalit, Nedim Vlora, ka thënë se nuk e ka njohur Ismail Qemalin pasi janë dy breza të ndryshëm, por sipas tij nga tregimet e gjyshes dhe të babait e ka të freskët figurën e Ismail Qemalit.
Vlora ka deklaruar kështë në një intervistë të dhënë për televizionin Tëvë1.
“Unë nuk e kam njohur Ismail Qemalin sepse jemi dy breza të ndryshëm, por gjyshja ime më ka treguar shumë dhe babai im më kanë treguar shumë, sepse babai ishte nipi i parë i Ismail Qemalit dhe ai i përkëdhelte kokën kur bënin së bashku xhiro në Barcelonë. Kështu nga tregimet e gjyshes dhe të babait e kam shumë të qartë dhe shumë të freskët figurën e Ismail Qemalit, figurën e stërgjyshit tim”, ka thënë Vlora.
Ai ka shtuar se nga tregimet e gjyshes dhe babait ka kuptuar se Ismail Qemali ka qenë njeri zemergjerë dhe se tipar kryesor ka pasur mbrojtjen dhe forcimin e familjes.
“Sigurisht Ismail Qemali nga tregimet e babait tim dhe të gjyshes del se është një njeri me zemër të madhe, ai edhe nusen e djalit që ishte franceze e quante bija ime, sepse ishte gjithmonë në mbrojtje të familjes në forcimin e familjes sepse edhe kur humbi gruan e tij në Francë nga gripi spanjoll në atë kohë ai gjithmonë kishte në konsideratë mbrojtjen dhe forcimin e familjes, ky ishte tipari kryesor i Ismail Qemalit, njeri familjar, zemërgjerë që i donte njerëzit e familjes pavarësisht se sakrifikoi dhe familjen për të realizuar shtetin shqiptar”, është shprehur ai.