Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Enver Haliti, ka reaguar ndaj deklaratave të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe padisë së paralajmëruar ndaj deputetes së LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.
Sipas tij, opozita po ndjek forma të papranueshme për ta sulmuar kryeministrin Albin Kurti dhe LVV-në, duke dëmtuar, në të njëjtën kohë, sipas tij, interesat e shtetit të Kosovës.
“Në njëfarë forme janë lajmëruar vet PDK-ja. Dhe në emisionin Debat Plus ku ishte e ftuar për mes linjës direkte edhe Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, u detyrua t’i thotë dhe emrat e personave që apostrofohen. Kështu që asgjë nuk është për tu çuditur për shkak se sidomos partitë opozitare nuk po zgjedhin forma për ta luftuar, duke menduar që po e luftojnë VV-në dhe Albin Kurtin, mirëpo po e luftojnë shtetin e Kosovës”, ka thënë Haliti në FIVE.
Haliti e cilësoi si të besueshme deklaratën e Kryeziu-Hyseni lidhur me zyrtarin e PDK-së, Bernard Nikaj dhe Petrit Selimi, ish-zyrtar i PDK-së, të cilët janë akuzuar për lobim që të mos hiqen masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
“Nuk konsideroj që është një e pavërtete ajo që ka thënë zonja Kryeziu. Dhe besoj që e ka sqaruar mjaftueshëm”, ka shtuar Haliti.
Ai theksoi se informacionet e deputetes Kryeziu-Hyseni janë të bazuara në burime të besueshme nga zyrtarët e BE-së dhe se çështja e padive është kthyer në një “hajgare”.
“Çështja e padive është bërë si hajgare më thënën kështu më thjesht. Për shkak e ato informacione i ka marrë nga zyrtarë të BE-së, që ia kanë konfirmuar kryetares së komisionit. Dhe nuk besoj që ka ra në atë nivel kryetarja e komisionit, që të thotë diçka të pavërtetë zyrtarët me të cilët janë taksuar ata dy personat e apostrofuar”, ka theksuar Haliti.
Deklarata e tij vjen pas akuzave të Vlora Çitakut, sekretarja e përgjithshme e PDK-së, e cila ka akuzuar LVV-në për propagandë ndaj partisë së saj.
Çitaku njoftoi se PDK do të ngrejë padi për shpifje ndaj Kryeziu-Hyseni, duke e akuzuar për përpjekje për të njollosur partinë dhe individët e saj me akuza të pabazuara.
Në një postim në Facebook, Kryeziu-Hyseni ka kundërshtuar akuzat e Çitakut, duke e cilësuar reagimin e saj si një përpjekje për të shmangur përgjegjësitë për lobimin që lidhet me sanksionet ndaj Kosovës.