Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit që të tregojnë qetësi për shpërthimin që ka ndodhur në kanalin kryesor të Ibër Lepencit.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ai ka thënë se adresa e vetme që beson fuqishëm e këtij sulmi janë bandat që kanë mbështetjen e Serbisë.
“U bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të ndjekin në vazhdimësi udhëzimet dhe njoftimet nga institucionet në Republikën e Kosovës. Organet shtetërore janë të angazhuara për të siguruar menaxhimin e situatës, rikuperimin e dëmit dhe zbardhjen e plotë të rastit”, ka thënë Kurti.
“Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulmi i radhës terrorist, që ne besojmë se vjen nga bandat e dirigjuara dhe të orkestruara nga Serbia, e cila e ka edhe interesin, edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të këtilla”.
Tutje, Kurti ka theksuar se është përdorur një sasi e madhe e eksplozivit për të shkaktuar dëme në energji elektrike dhe furnizimit me ujë të qytetarëve.
“Në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe kur riparimi është i vështirë, nëse dëmi nuk riparohet një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike, një pjesë e Prishtinës dhe disa qytetet tjera mund të mbesin pa ujë”.
“Me bindjen tonë të fuqishme nuk mund të ketë adresë tjetër për përgjegjësinë dhe fajësinë për organizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi përveç Beogradi zyrtar dhe strukturave të tyre kriminale me në krye Milan Radioçiqi që e kanë mbështetjen nga institucionet serbe dhe presidenti Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Kurti.