Kryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, ka thënë se shpreh shqetësim të thellë dhe indinjatën e plotë të sulmit që ka ndodhur në kanalin kryesor të Ibër Lepencit.
Në një reagim të lëshuar, ai është shprehur se ky është një akt i papërgjegjshëm dhe destabilizues, sipas tij, duket të jetë i orkestruar nga Serbia.
“Kërcënon jo vetëm funksionimin e termocentraleve tona, të cilat varen nga ky burim ujor për ftohje, por edhe stabilitetin energjetik dhe ekonomik të vendit tonë. Ndërprerja e furnizimit me ujë për termocentralet imponon ndalimin e prodhimit të energjisë elektrike, duke e vënë në rrezik shërbimin jetik dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”.
“Dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë sulm të paramenduar kundër infrastrukturës sonë kritike, i cili është një akt i qartë i agresionit për destabilizimin e Republikës së Kosovës. Ky është një sulm jo vetëm kundër KEK-ut, por kundër sigurisë energjetike dhe shërbimeve jetike të shtetit tonë”, ka thënë Llumnica.
Sindikata e Re e KEK-ut u bënë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës, të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe për ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës për këtë akt.
Si dhe, bashkësisë ndërkombëtare, “të reagojë fuqishëm dhe të ndalojë këto përpjekje për destabilizim, duke dënuar publikisht këtë agresion”.