MPJD: Presim nga ShBA dhe BE të marrin masa ndaj atyre që mbështesin sulmin terrorist

Aktuale

MPJD: Presim nga ShBA dhe BE të marrin masa ndaj atyre që mbështesin sulmin terrorist

Më: 30 nëntor 2024 Në ora: 06:26
Foto ilustrim

Ministria e Jashtme e Kosovës, ka thënë se pret që ShBA e BE të marrin veprime ndaj atyre që mbështesim autorët e sulmit terrorist në kanalit e Ibër-Lepencit të premten në Zubin Potok.

Në një reagim në X, MPJD ka mirëpritur reagimin e ShBA-së dhe BE-së që kanë dënuar këtë sulm.

“Ne mirëpresim reagimin dhe dënimin e shpejtë të SHBA-së dhe BE-së për sulmin, si dhe ofertat e tyre për mbështetje. Ne do të ndajmë gjetjet tona me partnerët tanë dhe presim që ata të ndërmarrin veprime vendimtare kundër atyre që mbështesin autorët”, thuhet në reagimin e MPJD-së në X.

Nga kjo ministri është thënë që ka prova që sulmi në infrastrukturën kritike të Republikës së Kosovës është kryer nga Serbia.

“Infrastruktura kritike në Republikën e Kosovës ishte cak i një sulmi terrorist. Dëmet janë të konsiderueshme dhe policia po heton. Tashmë ka prova të shumta, rrethanore dhe të tjera, që tregojnë se ky është një sulm tjetër i planifikuar dhe i orkestruar nga Serbia”, thuhet në reagim.

Kryeministri Kurti ka thënë se sulmi terrorist është kryer me mbështetjen e Serbisë.

Ai të premten tha se këto sulme po ndodhin për shkak se grupet kriminale kanë humbur ndikimin dhe kontrollin në veri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat