Detajet e fundit: Policia arreston 8 të dyshuar, konfiskon armatim e eksploziv pas sulmit në Ibër-Lepenc

Aktuale

Detajet e fundit: Policia arreston 8 të dyshuar, konfiskon armatim e eksploziv pas sulmit në Ibër-Lepenc

Më: 30 nëntor 2024 Në ora: 09:00 Përditësuar në ora: 19:24 më 30.11.2024
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se tetë persona janë arrestuar lidhur me shpërthimin e mbrëmshëm në kanalin e Ibër-Lepencit.

Krejt çka ndodhi në sulmin terrorist, flasin Sveçla dhe Hoxha

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka dhënë detaje për angazhimin e institucioneve të vendit dhe aksionin e policisë pas sulmit terrorist në Zubin Potok, ku në kanalin e ujit Ibër-Lepenc ndodhi një shpërthim i fuqishëm, duke rrezikuar infrastrukturën vitale për qytetarët e vendit.

Pas hetimeve intensive, sot në dhjetë lokacione në veri janë arrestuar tetë persona të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale e terroriste. Ministri Sveçla theksoi se aksioni ka rezultuar me konfiskimin e një arsenali të armëve dhe municionit, eksplozivit, pajisjeve të ndryshme përfshirë emblema e qindra uniforma e pajisje ushtarake të cilat do të shërbejnë si dëshmi relevante që ndërlidhen me akte kriminale.

Sveçla: Janë rezultuar me konfiskimin e një arsenali të armëve dhe municionit

“Ky sulm terrorist nuk është vetëm një sulm terrorist i rëndomtë por është një sulm i organizuar apo planifikuar mirë nga grupe apo organizata që janë profesionistë në kryerjen e sulmeve të tilla terroriste e të cilat shkaktojnë dëm të mëdha ndaj infrastrukturës kritike. Synimi i tyre ka qenë të maksimalizohet dëmtimi në dëm të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Pas hetimeve intensive të hetuesve policor sot në orët e mëngjesit sot në dhjetë lokacione në veri të vendit janë realizuar kontrolle me ç’rast janë arrestuar dhe shoqëruar në stacioni policore tetë persona të dyshuar mbi dyshimin për përfshirje në veprimet kriminale e terroriste. Kontrolli i realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë dhe Agjencinë Kosovare të Intelegjencës ka rezultuar me konfiskimin e një arsenali të armëve dhe municionit, eksplozivit, pajisjeve të ndryshme përfshirë emblema e qindra uniforma, e pajisje ushtarake të cilat do të shërbejnë si dëshmi relevante që lidhen me aktet kriminale”, tha Sveçla.

Ministri i MPB-së, Sveçla tha se institucionet e Kosovës do të parandalojnë aktet e tilla terroriste në të ardhmen dhe të zbardhet ky rast dhe përgjegjësitë të marrin dënimin e merituar.

Sveçla: Qeveria e Kosovës me institucionet e saj nuk do të ndalet derisa të gjithë këta kriminelë e terroristë të arrestohen

“Kjo dëshmon që qeveria e Kosovës me institucionet e saj nuk do të ndalet derisa të gjithë këta kriminelë e terroristë të arrestohen e të përballen me drejtësinë...Policia e Kosovës do të vazhdojë me masat shtesë në shkallë vendi e po ashtu edhe në veri të vendit, me qëllim të parandalimit të sulmeve të tilla terroriste, ruajtjes së sigurisë publike dhe ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim”, potencoi Sveçla.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gamzend Hoxha në këtë konferencë për media të jashtëzkonshme tha se kanë konfiskuar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 zolla, 3 granata dore, 2 armë AK47, 1 revole, municion të kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, para dhe pajisje të tjera.

Hoxha: Janë sekuestruar arsenal i armëve

“Si rezultat i zbatimit të këtyre kontrolleve janë sekuestruar prova të shumta materiale që mund të ndërlidhen me këto raste apo edhe me raste të tjetra që janë duke u trajtuar nga Policia e Kosovës. Si në vijim, janë sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 raket hedhës dore apo zolla, 3 granata dore, 2 armë AK47, 1 revole, municion të kalibrave të ndryshëm, pjesë të armëve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, të holla në euro dhe dinarë dhe pajisje të tjera. Pom ashtu në një rast tjetër të dnarë sot në Zveçan, policia ka gjetur të fshehura nëj sasi të konsiderushme të armatimit”, theksoi Hoxha.

Drejtori i PK-së ka thënë po ashtu se shumica e personave tek të cilët sot është kryer kontrolli në pronën e tyre, janë persona të dyshimtë të lidhur me mbrojtjen civile dhe që nga Qeveria e Republikës në vitin që vitin që shkoi është shpallur organizatë terroriste.

Hoxha: Janë persona të dyshimtë të lidhur me mbrojtjen civile

“Shumica e personave të cilët sot është kryer kontrolli në pronën e tyre, janë persona të dyshimtë të lidhur me mbrojtjen civile dhe që nga qeveria e Republikës në vitin që vitin që shkoi është shpallur organizatë terroriste. Mund të ketë implikime dhe lidhje po ashtu edhe me terroristin Radoiqiq”, theksoi Hoxha.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë po ashtu se shumica absolute e prodhimeve të arsenalit janë serbe.

Sveçla: Shumica absolute e prodhimeve janë serbe

“Një pjesë e tyre janë edhe pjesë e strukturave tashmë të njohura si mbrojtja civile apo Brigada e Veriut. Ata janë të mbështetur, të financuar, të trajnuar dhe të shtyrë nga Serbia me qëllim të destabilizimit të Republikës së Kosovës…Sipas disa vlerësimeve një pjesë e arsenalit të cilët në vazhdimësi zbulohen janë pjesë e arsenalit të sjelljes më herët. Patjetër që ka edhe sjellje të reja... Në ndajmë pjesën më të madhe të kufirit të shtetit tonë me Republikën e Serbisë, një pjesë e këtij kufiri është vështirë e kontrollueshme. Sa më shumë armë, sa më shumë pajisje, jashtëzakonisht uniforma të sillen që në një moment të caktuar të ketë një rezistencë të organizuar ashtu siç kishim në rastin e sulmit terrorist në Banjskë. Shumica absolute e prodhimeve janë serbe. Një pjesë e madhe e tyre janë ekskluzivisht ushtarake të cilat nuk gjenden lehtë as në tregun e zi e mos të flasim për treg legal. Eksplozivi i përdorur mbrëmë është material i cili pothuajse është i pamundur të gjendet përveçse nëse nuk është i furnizuar drejtpërdrejtë nga magazinat e ushtrisë”, tha ai.

Një shpërthim i fuqishëm mbrëmë në Varagë të Zubin Potok, ka dëmtuar kanalin e ujit Ibër-Lepenc.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti këtë sulm në veri të Kosovës e ka quajtur kriminal dhe terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Serbia. Sulmin e kanë denuar edhe bashkësia ndërkombëtare dhe kanë kërkuar sjelljen e autorëve përgjegjës para drejtësisë.

Sveçla tregon pse nuk janë publikuar emrat e të arrestuarve në lidhje me sulmin

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, gjatë një konference për media tha se emrat e atyre të cilët janë arrestuar në lidhje me sulmin që ndodhi mbrëmjen e së premtes në Ibër-Lepenc, nuk po publikohen në mënyrë që hetimet të mos dëmtohen.

“Unë nuk po fsheh asgjë, as drejtori i Policisë së Kosovës. Unë vetëm mund ta konfirmoj se hetimet në këtë rast janë intensive, dhe me qëllim që mos të dëmtohet në asnjë mënyrë hetimin ne jemi të rezervuar  në ndarjen e informatave të cilat janë të rëndësishme për hetimet”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, thotë se do të vazhdojnë operacionin për të zbuluar të gjithë ata që janë të përfshirë në sulmin e lartcekur.

“Duhet të kuptoni qendrimin tonë, që hetimet në këtë rast të jenë efikase. Policia e Kosovës do të vazhdojë operacionin e saj me qëllim të zbulimit të gjithë kryerësve që mund të jenë të përfshirë në sulmet terroriste. Ju garantoj që asnjë qytetarë i pafajshëm nuk do të jetë cak i punës së policisë”, u shpreh ai.

​Sveçla tregon arsyet e arrestimit të anëtarit të mediumit serb

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka treguar se njëri nga personat e arrestuar sot për sulmin terrorist në Zubin Potok është nga mediumi serb Kosovo Online.

Ai këto komente i bëri duke iu përgjigjur pyetjeve të një gazetareje serbe në konferencën për media në Mitrovicë, ku u ekspozua armatimi i konfiskuar pas sulmit terrorist.

Sveçla: Anëtari i Kosovo Online i përfshirë në punë kundër rendit kushtetues

“Sa i përket pjesëtarit të Kosovo Online, mund të them sigurisht se ai nuk është arrestuar se është pjesëtar i një mediumi, por sipas indikacioneve ai është përfshirë në punë kundër rendit kushtetues”, ka thënë ai. 

Ministri Sveçla: Kemi parandaluar shumë raste, kjo s’është garancë që mund të parandalohen të gjitha

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media tha se falë profesionalizmit të Policisë së Kosovës janë parandaluar shumë raste të ngjashme si ai i mbrëmshmi në Ibër-Lepenc, por se nuk mund të parandalohen të gjitha.

Duke iu përgjigjur gazetarëve, Sveçla tha se këtë brengë nuk e kanë fshehur.

“Ne brengën tonë se sulmet e tilla mund të ndodhin e kemi shfaqë edhe publikisht. Është e qartë që Serbia, qeveria e saj spo do të ndryshojë, që të marrë rrugë demokratike përpara, është e vendosur që të atakojë rritën e Kosovës. Patjetër që punohet në çdo informatë që vjen. Falë këtyre informatave me qytetarët dhe të këtyre katër komunave, falë një profesionalizmi të Policisë së Kosovës kemi parandaluar shumë raste.

Kjo nuk është garancë që mund të parandalohet të gjitha rastet, asnjë institucion i sigurisë në botë nuk mund të krenohet që ka parandaluar të gjitha rastet. Posaçërisht kur kemi parasysh metodologjinë e punës së institucioneve të Kosovës. Ato janë veprime demokratike të bazuara në ligje dhe rregullore”.

Drejtori i policisë: Kemi të bëjmë me një grup mirë të organizuar, në sulm u përdoren deri në 20 kg eksplozivë

Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se gjatë sulmit të mbrëmshëm në Ibër-Lepenc janë përdorur sasi të konsiderueshme e eksplozivit nga 15-20 kg, ndërkaq tha se në bazë të hetimeve deri tash “kemi të bëjmë me një grup mirë të organizuar”.

“Kemi të bëjmë me një grup mirë të organizuar që kanë njohuri dhe shkathtësi në përdorimin e mjeteve shpërthyese”, tha ai në konferencën e jashtëzakonshme.

“Në bazë të hetimit të vendit të ngjarjes dyshohet se në këtë sulm është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit 15-20 kg, e cila ka qenë e vendosur në një çantë të zezë dhe e cila është aktivizuar me detonatorë mekanikë përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.

Si pasojë e këtij sulmi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe që është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shumë zona,  si dhe duke rrezikuar tejmase edhe me energji elektrike, por edhe rrezikun për pasoja më të rënda për avari në sistemin energjetik të Kosovës”.

Sveçla flet për armatimin e kapur në veri: Një pjesë e mbetur nga Banjska

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në konferencë për media është pyetur për numrin e madhe të armatimit që po konfiskohet në Veri të Republikës së Kosovës, nëse ka mbetur që nga Banjska apo nëse është armatim që po futet nga Serbia përsëri.

Sveçla ka thënë e një pjesë e arsenalit është pjesë e mbetur nga Banjska, por që thotë se patjetër që ka sjellje të reja të armatimit nga Serbia, meqë një pjesë e kufirit me Serbinë është shumë vështirë e kontrollueshme.

“Sipas disa vlerësimeve, një pjesë arsenalit që zbulohet është pjesë e arsenalit të mbetur, por patjetër që ka edhe sjellje të reja. Ne ndajmë pjesën më të madhe të kufirit me Serbinë, një pjesë e këtij kufiri është vështirë e kontrollueshme”, ka thënë Sveçla.

“Fakti që Policia e Kosovës është e suksesshme në këto raste, dëshmon që kemi sukses ndaj këtij qëllimi, sa më shumë armë, sa më shumë pajisje, në këtë rast ka shumë uniforma, që në një moment të caktuar të mos ketë organizim sikurse ndodhi në Banjskës”, ka thënë Sveçla.

“Një pjesë e madhe e tyre janë pajisjes që s’gjenden lehtë as në tregun e zi, e mos të flasim për treg legal. Eksplozivi i përdorur mbrëmë, është e pamundur të gjendet, përvec se nëse nuk është furnizuar drejtpërdrejt nga magazinat e ushtrisë”, ka deklaruar ministri i Brendshëm.

Policia arreston 8 të dyshuar, konfiskon armatim e eksploziv pas sulmit në Ibër-Lepenc

Autoritetet Kosovare i kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë të shtunën në lidhje me një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, njoftoi ministri i Brendshëm i Kosovës.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare ta akuzojnë Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.

Duke folur në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Mitrovicën e Jugut, Sveçla tha se shpërthimi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i cili furnizon disa pjesë të vendit me ujë, ishte më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që pas luftës në Kosovë më 1998-1999.

“Ky sulm terrorist nuk është sulm i rëndomtë, por i bashkërenduar nga organizatat terroriste... synimi ka qenë që dëmi të jetë maksimal ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarët të tij”, tha ai.

Policia thërret konferencë të jashtëzakonshme për media pas sulmit në Zubin Potok

Një konferencë e jashtëzakonshme për media është thirrur nga Policia e Kosovës pas sulmit të mbrëmshëm (29.11.2024) në kanalin e ujit të Ibër Lepencit.

“Kjo konferencë i dedikohet zhvillimeve në veri të vendit, pas sulmit terrorist të ndodhur ndaj infrastrukturës kritike, gjegjësisht dëmtimit të kanalit të ujit të Ibër Lepencit”- tha Policia.

Tutje u shtua se konferenca do të mbahet nga 17:30 në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.

Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut.

Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast. Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024), ku ka diskutuar për këtë shpërthim. Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.

Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.

Policia thërret konferencë të jashtëzakonshme në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymberi”

Policia e Kosovës ka thirrur një konferencë të jashtëzakonshme me fillim nga ora 17:30 në Qendrën Njësive Speciale “Enver Zymberi” në Mitrovicë.

Aty do të marrin pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë Gazmend Hoxha.

Kjo paraqitje i dedikohet zhvillimeve në veri të vendit, pas sulmit terrorist të ndodhur ndaj infrastrukturës kritike.

Gjegjësisht dëmtimit të kanalit të ujit të Ibër-Lepencit.

Flet Maqedonci: Sulmi në veri kishte synim mohimin e shërbimeve esenciale dhe destabilizimin e vendit

Ministri i Mbrotjes, Ejup Maqedonci ka thënë se pas sulmit terrorist mbrëmë në kanalin e Ibër Lepencit, tani përballemi me një situatë të menaxhueshme.

Në emisionin “Info Magazine”, ministri thotë se bandat serbe kishin për qëllim mohimin e shërbimeve esenciale për qytetarët, dëmtimin energjetik dhe destabilizimin e vendit.

Në Këshillin e Sigurisë analizuam situatën, secili dikaster ka paraqitur pikëvështrimin e tyre dhe të gjithë kemi ardhur në konkludim se ky sulm terrorist kundër infrastrukturës kritike të vendit tonë, kishte objektiv taktik mohimin e shërbimeve esenciale për qytetarët e vendit tonë, si dhe dëmtimin energjetik, kurse si qëllim strategjik kishte destabilizimin dhe normalisht gjunjëzimin e shtetit të Kosovës përballë këtyre grupeve”, tha Maqedonci.

“Edhe në këtë rast institucionet tona ishin në vendin e ngjarjes, u paraqiten me kohë, të gjithë koordinimet në mes institucioneve, duke përfshirë edhe ato të ministrive u bënë me kohë, ne kemi tani një situatë të menaxhueshme, të gjithë dikasteret qeveritare janë të koordinuara në mes vete si asnjëherë më parë, duke pasur parasysh se ky akt i tmerrshëm me të vërtetë kishte synim dëmtimin në masë jo vetëm të qytetareve, por të gjithë shtetit të Kosovës”.

Tutje, ministri tregon se çfarë detyrash morën kjo ministri dhe FSK-ja në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, që u mbajt sot në orët e hershme të mëngjesit.

“Si ministri e Mbrojtjes dhe Forcë e Sigurisë së Kosovës morëm detyrë që të mbështesim Policinë e Kosovës dhe institucionet me njësitet që kanë zhvilluar që nga orët  e hershme të mëngjesit patrullime në lokacione të ndryshme të vendit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat