​Shpërthimi në Zubin Potok, Islami: Serbia tentoi defunksionalizimin e jetës në Kosovë

Aktuale

​Shpërthimi në Zubin Potok, Islami: Serbia tentoi defunksionalizimin e jetës në Kosovë

Më: 30 nëntor 2024 Në ora: 13:29
Avni Islami

Sulmi i mbrëmshëm në Zubin Potok është akt terrorist i organizuar nga Serbia përmes të cilit u tentua defunksionalizimi i jetës në Kosovë, thotë njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami derisa shton se sulmi i mbrëmshëm në kanalin e ujësjellësit në Zubin Potok është kryer nga profesionistë, pasi nuk kanë lënë gjurmë.

Islami për KosovaPress thotë se Kodi Penal parasheh dënime për sulme të tilla terroriste sikurse i mbrëmshmi në Zubin Potok.

Për shkatërrimin e kanalit të Ibër-Lepencit janë përdorur rreth 15 kilogramë eksploziv.

Islami: Sulmi i mbrëmshëm i plotëson të gjitha elementet e terrorizmit

“(Sulmi i mbrëmshëm) i plotëson të gjitha elementet e terrorizmit dhe ky akt quhet terrorizëm shtetëror i Serbisë. Kjo për shkak se është organizuar nga shteti serb është orkestruar nga njerëz profesionistë. Është kryer akti terrorist pa lënë gjurmë... Akte të tilla, kur bëhet rrezikimi i rendit kushtetues, ku qëllim kishte shkatërrimin dhe dëmtimin e instalimeve të pajisjeve, pra është fjala për një organizatë, KEK-un, që është një kompani vitale e Kosovës që e furnizon Kosovën me rrymë”, tha ai.

Profesori i shkencave të sigurisë thekson se deklaratat e zyrtarëve serbë se “gjoja e dënojnë sulmin e mbrëmshëm në veri”, janë vetëm sa për të shfajësuar veten.

Islami: Përmes aktit terrorist Serbia synoi defunksionalizimin e jetës në Kosovë

“Qëllimi ishte që përmes aktit të sabotazhit dhe aktit terrorist... të ndikojë në jetën e qytetarëve. Marrë parasysh nenin 122, është pikë e shkruar se rastet e tilla, që çfarëdo që dëmton pajisjet publike, të ujit, të energjisë, pendat, digat, ekonominë apo funksionimin e shërbimeve publike është vepër terroriste e kriminale. Dhe, qëllimi i krejt këtij akti terrorist është që ta pamundësojë dhe ta defunksionalizojë jetën në Kosovë. Është e pamundur që një sulm i tillë, që ëhstë kryer në mënyrë profesionale, të bëhet nga njerëz të zakonshëm. Pra, nuk duhet harruar se Aleksandër Vuçiq dhe vartësit e tij kanë paralajmëruar dhe është akti i tretë që kryhet brenda 4 ditëve”, thotë Islami.

Pas sulmit në kanalin që furnizon KEK-un me ujë, kanë reaguar autoritetet vendore e ambasadorët e QUINT-it.

Përveçse e dënuan sulmin, ambasadorët shprehën mbështetjen e vendeve të tyre për Kosovën dhe kërkuan që autorët e sulmit të dalin sa më shpejt para drejtësisë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti thirri konferencë urgjente, e më pas u takua me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm u mblodh edhe Këshilli i Sigurisë.

Sulmi në Banjskë u cilësua akt terrorist, i orkestruar nga Serbia.

Ndërsa sot gjatë ditës kryeministri Kurti ka njoftuar se lidhur me këtë sulm ka të arrestuar dhe prova materiale. Sipas tij, kriminelët do të dalin para drejtësisë dhe do të përballen me fuqinë e ligjit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat