Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur një tubim paraelektoral në Gjilan.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, tha se tubimi në Gjilan “ishte masiv”.
Ai këtu foli edhe për sulmet terroriste e grupet kriminale në vend, teksa tha se Serbinë do ta mposhtim gjithherë.
“Në këtë kryengritje të djathtë në vet djepin e së djathtës, shtruam jo vetëm zotimin tonë për të mbrojtur Republikën nga çdo kërcënim i jashtëm; por dhe për ta lartnuar atë në të gjitha përballjet e brendshme – aty ku janë dhe brengat e njerëzve tanë”.
“Rrugëtimi ynë historik, po formësohet dhe në Karadakun e Kryengritësve të mëdhenj, patriotëve si Idriz Seferi, Mulla Idriz Gjilani e Agim Ramadani. Tre kolosë të mëdhenj, tre emra historik, që në tri epoka të ndryshme historike, u kryengritën për t’i dhënë Gjilanit, Kosovës e gjithë shqiptarëve vlerën më të madhe njerëzore pra vet lirinë”.
“Dhe ëndrra e tyre e djeshme, për të ruajtur, mbrojtur e lartnuar shtetin që kemi, na qëndron sot jo vetëm si rikujtim për sakrificë, por na qëndron sot si kushtrim për përbashkim e për shpëtim. Prandaj themi se s’ka forcë e s’ka shpërthim, s’ka akt terrorist e s’ka grup kriminal që mund të rrënojë shtyllat e Republikës”.
“E kemi mundur Serbinë një herë, do ta mundim gjithherë”, deklaroi Abdixhiku.
“Koha ta mundim dhe ngecjen, izolimin e përçarjen e madhe brenda Kosovës. Une besoj ne Republikën e Kosovës! Ju duhet të besoni në potencialin e madh që kemi përpara! Faleminderit Anamoravë! Bashkë. Të pandashëm. Të pandalshëm”, potencoi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.