Policia arreston 8 të dyshuar, konfiskon armatim e eksploziv pas sulmit në Ibër-Lepenc

Aktuale

Policia arreston 8 të dyshuar, konfiskon armatim e eksploziv pas sulmit në Ibër-Lepenc

Më: 30 nëntor 2024 Në ora: 17:58
Pasojat e shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në një fshat të Zubin Potokut, në veri të Kosovës, 29 nëntor.

Autoritetet Kosovare i kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë të shtunën në lidhje me një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, njoftoi ministri i Brendshëm i Kosovës.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare ta akuzojnë Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.

Duke folur në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Mitrovicën e Jugut, Sveçla tha se shpërthimi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i cili furnizon disa pjesë të vendit me ujë, ishte më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që pas luftës në Kosovë më 1998-1999.

“Ky sulm terrorist nuk është sulm i rëndomtë, por i bashkërenduar nga organizatat terroriste... synimi ka qenë që dëmi të jetë maksimal ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarët të tij”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat