Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka dhënë informacione për angazhimin e institucioneve të vendit pas sulmit terrorist në Zubin Potok, ku në kanalin e ujit Ibër Lepenc ndodhi një shpërthim, duke rrezikuar infrastrukturën jetike për qytetarët e Kosovës.
“Janë sulme të cilat dirigjohen nga Serbia. Sulmi më kritik, më i rëndë pas përfundimit të luftës. Ne për këtë mbajmë përgjegjës Beogradin zyrtar. Ky sulm terrorist është i mirë organizuar i organizuar nga grupe apo organizata që janë profesioniste, të cilat shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike. Synimi i tyre ka qenë të maksimalizohet dëmtimi ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë ai.
Pas hetimeve intensive, sot në dhjetë lokacione në veri janë arrestuar tetë persona të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale e terroriste.
Sveçla ka thënë se kanë konfiskuar edhe një arsenal të armëve, municion, eksploziv, emblema, pajisje ushtarake, të cilat do të shërbejnë si dëshmi relevante që ndërlidhen me akte kriminale.
“Institucionet e Kosovës nuk do të ndalen derisa këta kriminelë e terroristë të ndalohen e të përballen me drejtësinë e Kosovës”, tha Sveçla.
Sveçla tha se institucionet e Kosovës do të parandalojnë aktet e tilla terroriste në të ardhmen dhe të zbardhet ky rast dhe përgjegjësitë të marrin dënimin e merituar.
“Policia do të merr masa për parandalimin e sulmeve të tjera terroriste dhe t’iu del në ndihmë qytetarëve pa asnjë dallim. Ftoj të gjithë t’iu referohen vetëm informacioneve zyrtare”, ka thënë Sveçla.