Autoritetet e Kosovës i kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë të shtunën në lidhje me një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, njoftoi ministri i Brendshëm i Kosovës.
Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare ta akuzojnë Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.
E në lidhje me këtë sulm në një postim në Facebook ka reaguar edhe avokati Ardian Bajraktari.
Ai shkruan që ky sulm është vepër penale terroriste dhe që ligjet me me elemente të veprës penale rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, nga neni 122, i Kodit Penal, përcjell “Bota sot”.
Bajraktari tregon dënimin për personat që e kanë kryer këtë vepër penale.
“Përfshirja e politikës në këtë stad të procesit është veprim jo i duhur, e bënë procesin me doza dyshimi, veçmas në lidhje me mbajtje përgjegjës të shteti serb”, shkroi tutje avokati.
Postimi i plotë
Sulmi në Zubin-Potok, është vepër penale terroriste, siç definohet me nenin 128, paragrafi 1, nën paragrafi 1.8, e lidhur me elemente të veprës penale rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, nga neni 122, i Kodit Penal.
Dënimi për këtë vepër është me jo më pak se 5 vjet burgim, e kur nuk ka maksimum të veçantë, zbatohet maksimumi i përgjithshëm i dënimit me burgim i cili është deri në 25 vjet.
Natyrisht se ndriçimin e këtyre rrethanave si dhe vënien para përgjegjësisë si të urdhërdhënsve ashtu edhe të kryerësve, duhet ta bëjnë organet ligjbzatuese, të cilat duhet inkurajuar dhe lënë që puna e tyre të kryhet në mënyrë profesionale dhe në pajtim me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore si dhe në koordinim me aleatët, veçmas ata që kanë rol në fushën e sigurisë në pjesën veriore.
Përfshirja e politikës në këtë stad të procesit është veprim jo i duhur, e bënë procesin me doza dyshimi, veçmas në lidhje me mbajtje përgjegjës të shteti serb.
Prandaj policia, përfshirë edhe Drejtorin, më mirë do ishte të dilnin në konferencë shtypi me prokurorin e shtetit.
Në proces sa më shumë që përfshihen mekanizma ndërkombëtar, qoftë edhe në cilësi të vëzhguesit, do ta bënte procesin hetimor më të besueshëm, veçmas për sa i përket rolit të shtetit serb.