​“Gjithçka ka filluar të dridhet”, familja Lazareviq tregon tmerrin e natës pas sulmit terrorist

Aktuale

​“Gjithçka ka filluar të dridhet”, familja Lazareviq tregon tmerrin e natës pas sulmit terrorist

Më: 1 dhjetor 2024 Në ora: 15:07
Foto nga vendi i ngjarjes

Shpërthimi i madh terrorist me rreth 15 kilogram eksploziv që ndodhi të premten në mbrëmje në kanalin e Ibër Lepencit, u dëgjua në shtëpinë e familjes Lazareviq e cila është e banuar nga një çift.

Pronari i shtëpisë Miladin Lazareviq nga fshati Uglarë nga Komuna e Zubin Potokut, ka rrëfyer për KosovaPress, tmerrin që ka përjetuar bashkëshortja e tij nga ky rast, duke treguar se nga frika e madhe e shpërthimit dhe nga sasia e madhe e ujit që kishte hyrë brenda shtëpisë, ajo kishe kërcyer nga kati i dytë i shtëpisë.

Lazareviq: Uji ishte deri në katin e dytë ajo u tremb u kthye në terasën tjetër dhe kërceu nga kati i dytë

“Unë isha jashtë shtëpisë, gruaja ka qen e vetme në shtëpi, ajo dëgjoi një shpërthim të madh, në shtëpi kanë filluar të bien kuzhina nuk e di gjithçka ka filluar të dridhet, zonja është frikësuar ka tentuar të dal nga hyrja, uji ishte deri në katin e dytë ajo u tremb u kthye në terasën tjetër dhe kërceu nga kati i dytë nga frika”, tha ai.

Lazareviq ka treguar se pasojat nga ky shpërthim janë shumë të mëdha, derisa tha se përveç dëmeve në shtëpi e cila është bërë e pabanueshme tashmë iu janë shkatërruar edhe hambarët.

Ai ka treguar se është i papunë dhe se merret me bujqësi të cilën sipas tij e ka shkatërruar vërshimi i ujit. Ky banor ka treguar se gjysmën e shtazëve i ka shpëtuar e për disa ende nuk e di ku janë.

Lazareviq: Pasojat janë të mëdha si mund ti shihni

“Pasojat janë të mëdha si mund ti shihni, shtëpia është plot vllagë, uji ka hyrë gjithandej, themeli i shtëpisë është plasaritur, a është kjo prej detonimit apo prej ujit, tjegullat na kanë rënë nga kulmi nga ramja e fortë shtëpia më nuk është e përdorshme për jetë. Të gjitha të tjerat, unë merrem me bujqësi, nuk punoj askund, jetoj nga shitja e qumështit, djathit nga blegtoria, kam edhe dy bazena me peshq me trofta nga të cilat jetoja kjo e gjitha është shkatërruar brenda 20 minutash gjysme ore, u shkatërruan hambarët disa shtazë i kamë shpëtuar disa jo ndoshta janë gjallë, por nuk e di ku janë, që do të thotë se nuk jam në gjendje të shkelë askund t'i kërkoj”, shtoi Lazareviq.

Kryefamiljari ka bërë me dije se aktualisht janë duke banuar te të afërmit dhe se për momentin kanë frikë të qëndrojnë në shtëpinë e tyre.

Ai ka treguar edhe për shumën e dëmeve që i janë shkaktuar si pasojë e këtij sulmi.

Lazareviq: Nuk po kemi guxim të rrimë në shpi

“Ne momentalisht nuk flemë në këtë shtëpi, flemë tek te afërmit për momentin, sepse kjo po kërset në çdo moment, dëmtimet janë shumë të mëdha, shumë të mëdha, po kërset në çdo moment dhe nuk po kemi guxim të rrimë në shpi..... Nga institucionet na ka vizitua vetëm kryetari i komunës së Zubin Potokut Izmir Zeqiri dhe çfarë tha, tha që se do të ndaj mjete që të na ndihmoj sa do që të jetë e mundeshe........ Për momentin nuk mund t’jua them por afërsisht diku mbi 20.000 euro me objekte me kafshe me hambarë e kështu me radhë”, shtoi ai.

Këtë familje gjatë ditës e ka vizituar edhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Ai tha se kjo familje ka qenë e rrezikuar nga vërshimi i ujit. Zeqiri i ka bërë thirrje edhe nivelit qendror për ta ndihmuar këtë familje duke thënë se si komunë do të shikojnë kapacitetet e mundshme për ndihmë.

Zeqiri: Kjo familje ka qenë e rrezikuar nga vërshimi i ujit

“Ne po përpiqemi dhe vet kam ardh disa herë këtu kam pas vizitë pas rastit që ka ndodh sepse kjo familje ka qenë e rrezikuar nga vërshimi i ujit por falë zotit njerëzit kanë shpëtuar dhe ka dëme materiale. Akoma ka ujë shumë dhe po e shihni që ka përpjekje për me u pastru kanali. Unë do të konsultohem me ekipe të zjarrfikësve dhe ekipet që janë në terren që kanë makineri së paku që uji të pastrohet që uji të merr rrjedhën e vet sepse po hyn në anekse të shtëpisë... Ne do t’i marrim masat e mundshme që kemi si komunë dhe unë do të bëjë thirrje për ta ndihmu këtë familje edhe ministrisë dhe të shohim ne si komunë çfarë kapacitete kemi në këtë fazë të përfundimit të vitit”, përfundoi ai.

Një shpërthim i fuqishëm ishte dëgjuar të premten në mbrëmje në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me ç'rast ishte dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.

Autoritetet kosovare thanë se sulmi ishte terrorist dhe i organizuar nga bandat kriminale e me mbështetje të Beogradit zyrtar.

Derisa ky sulm është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të QUINT-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat