​Sulmi terrorist që ndikoi në furnizimin me ujë dhe rreziqet për energji elektrike

Aktuale

​Sulmi terrorist që ndikoi në furnizimin me ujë dhe rreziqet për energji elektrike

Më: 1 dhjetor 2024 Në ora: 15:26
Ibër Lepenc

65 për qind e konsumit të Kosovës do të kishin mbetur pa rrymë në rast se nuk do të ishte intervenuar me kohë në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Ky kanal në fshatin Varagë të Zubin Potokut, u dëmtua si pasojë e një shpërthimi terrorist mbrëmjen e 29 nëntorit. Institucionet e Kosovës kanë thënë se sulmi terrorist e kriminal vjen nga bandat e orkestruara nga Serbia.

Kanali i ujit të Ibër-Lepencit furnizon me ujë, nga Liqeni i Ujmanit, disa qytete të Kosovës dhe Korporatën Energjetike të Kosovës. Megjithatë, pas sulmit terroristë, Ndërmarrja Publike “Ibër-Lepenc”, ndërpreu ujin për disa orë për termocentralet, dhe deri sot edhe për qytetarët e disa komunave. Uji arriti në termocentrale vetëm pas mobilizimit dhe ndërhyrjes së shpejtë në sanimin e dëmeve në kanalin e Ibër Lepnecit.

Ish-drejtoresha e ndërmarrjes kryesore energjetike në Kosovë, Pranvera Dobruna-Kryeziu thotë për KosovaPress, se edhe riparimi i këtij kanali do të ketë kosto.

Dobruna-Kryeziu: 65 për qind e konsumit të Kosovës do të kishin mbetur pa energji elektrike nëse nuk do të intervenohej

“Shpërthimi i kanalit e pamundëson ardhjen e ujit industrial për ftohjen e Kosovës B dhe sikur të ishte intervenuar në afat rekord që të gjendet një zgjidhje alternative, atëherë 65 për qind të konsumit të Kosovës do të kishte mbetur pa energji elektrike. Por, nuk mund me llogarit që nëse prishet kanali qytetarët mbesin pa rrymë. Jo, sepse rryma importohet dhe gjendet zgjidhje. Por, kostoja e importit në këtë kohë është shumë e lartë. Prandaj edhe për t’u riparuar kanali do të ketë kosto sepse duhet me u ndal ‘Kosova B’ derisa të riparohet kanali”, deklaron ajo.

Në rast se nuk do të intervenohej me kohë në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, Dobruna-Kryeziu tregon se sa do të ishte sasia e energjisë elektrike të importuar.

Dobruna-Kryeziu: 450 mijë konsumatorë do të kishin mbetur pa rrymë, me miliona kosto për import

“250 megavat orë për orë, mund ta paramendoni sa shumë kushton ajo. Varet ku blihet dhe ku sigurohet. 250 megavat orë për orë, ajo është shumë pare, shumë pare...Varet sa muaj duhet të mbes ‘Kosova B’ pa prodhuar. 250 megavat orë për orë është shumë, mund të them me miliona. Varet sa me çfarë kosto e sigurojmë energjinë nga importi... Me këtë konsum, për shembull nga 700 mijë konsumatorë që i ka Kosova, 450 mijë konsumatorë kishin mbet pa rrymë. 65 për qind të konsumatorëve. Por nuk mbet Kosova pa rryma, qytetarët duhet të jenë të qetë”, thotë ajo për KosovaPress.

Shqipëria ka furnizuar dje Kosovën me energji elektrike deri në orët e mbrëmjes. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri i ka thënë KosovaPress-it se “janë detaje që nuk do të bëhen publike”.

“Në kuadër të marrëveshjes së shkëmbimit dhe marrëdhënieve të bashkëpunimit midis dy korporatave, KESH ka filluar prej mëngjesit të së shtunës të furnizojë me energji KEK për përballimin e situatës së krijuar me njësitë prodhuese në Kosovë. Bazuar në kërkesën e KEK, KESH ka vijuar të furnizojë me energji deri ne orët e mbrëmjes së të shtunës. Shqipëria do vijojë të ofrojë ndihmë energjetike në bazë të mundësive dhe kapaciteteve të lira që ajo disponon për prodhim, por edhe në varësi të kapaciteteve të lira të transmetimit ndërkufitar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri.

Për këtë çështje nuk është deklaruar Ministria e Ekonomisë me arsyetimin se një gjë e tillë do të ndodhë në ndërkohë.

Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë gjatë ditës së djeshme tetë persona të dyshuar për këtë sulm terrorist. Arsenal armësh, municion, eksploziv, pajisje ushtarake dhe emblema, janë prezantuar të shtunën në konferencë të jashtëzakonshme për media, pas një operacioni të gjerë.

Eksperti i emergjencave, Tahir Ahmeti thotë se ky akt cenon sigurinë kombëtare të Kosovës.

Ahmeti: Sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit ishte një sulm terrorist në infrastrukturën kritike

“Për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në veriun e Kosovës ishte një akt i pastër i sulmit terrorist në infrastrukurën kritike të Kosovës, duke cenuar edhe sigurinë kombëtare të Kosovës. Dhe si e tillë ajo kishte për qëllim që të vështirësonte Kosovën me ujë të pijshëm edhe gjithashtu të krijonte probleme dhe avari të ndjeshme në termocentralet e Kosovës. Dihet që ato furnizohen me ujë nga Ibër-Lepenci. Mirëpo, fatmirësisht institucionet e Kosovës, ato të sigurisë dhe gjithë akterët e tjerë me reagim të menjëhershëm dhe me një koordinim të përbashkët e pamundësuan këtë”, thotë ai.

Ish-drejtoresha e KEK-ut, Pranvera Dobruna-Kryeziu konsideron se Kosova duhet të investojë më shumë në sektorin e energjisë.

Dobruna-Kryeziu: Kosova duhet të investojë më shumë në sektorin e energjisë

“Nuk mbet Kosova pa rrymë, mund të importohet, kemi ndihmën që vjen nga Shqipëria dhe me ata gjithë kohën balancohemi por duhet të investohet shumë në sektorin e energjisë që të mos vijmë në këto situata. Duhet mirëmbajtja e kanaleve, duhet ndërtimi i kapaciteteve të reja të ripërtërishme të cilat nuk varen nga kanalet, nga fqinjët, duhet edhe bateri që të ketë sa më shumë që atë energji edhe me ruajt në kohën kur na duhet.

E si pasojë e këtij sulmi, dje kishte ndërprerje të ujit në Mitrovicë, Skenderaj, Vushtrri, Drenas, Fushë Kosovë dhe Obiliq.

Lidhur ke këtë, Faruk Mujka, drejtor i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, tha se funksionimi i kanalit është 80 përqind.

Mujka: Nuk do të ketë krizë sa i përket furnizimit me ujë

"Gjendja aktuale është shumë e mirë, stabile, normalisht nuk po flas për një funksionalitet të plotë të kanalit sepse ai kërkon sanin më të thellë i cili kërkon kohë, mirëpo funksionimi i kanalit është 80 përqind, furnizimi me ujë është në shkallën 80-85 përqind...Me informatat që kam sot, me ujë furnizohet Feronikeli, KEK-u edhe qytetarët e Skenderajt, Drenasit, Prishtinës, Obiliqit, Fushë Kosovës, pra nuk do të ketë krizë sa i përket furnizimit me ujë dhe nuk do të ketë as krizë energjetike sepse KEK-u furnizohet 100 për qind", tha ai.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se furnizimi me ujë në zonat e prekura nga sulmi terrorist po kthehet në normalitet.

“Furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanal të Ilbër Lepencit po kthehet në normalitet! Mbrëmë në orët e vona ka filluar furnizimi me ujë në komunat e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit. Sot, uji tashmë është lëshuar për në fabrikat e ujit të Drenasit dhe Shkabajt për trajtim dhe ka filluar furnizimi i rregullt i qytetarëve në Skenderaj. Brenda pak orësh pritet të normalizohet furznimi për qytetarët e Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit!”, ka shkruar ministrja Rizvanolli.

Gjithashtu, Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Prishtina", ka njoftuar se kanë filluar me Impiantin e Trajtimit të Ujit në Shkabaj e në Drenas.

Nëse mungon uji i Liqenit të Ujmanit, Kosova mbetet pa rrymë, e Prishtina pa ngrohje.

Një pjesë e konsiderueshme e banorëve të Prishtinës furnizohen nga rezervuari i Ujmanit që është më i madhi në Kosovë.

Nga kjo pjesë furnizohen me ujë edhe Mitrovica, Skenderaj, Vushtrria, Drenasi, Fushë Kosova dhe Obiliqi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat