Për herë të parë, trupat e FSK-së në gjendje gatishmërie për qytetarët

Aktuale

Për herë të parë, trupat e FSK-së në gjendje gatishmërie për qytetarët

Më: 1 dhjetor 2024 Në ora: 16:50
Foto ilustrim

E premtja e kaluar gjeti Kosovën me tri sulme terroriste në veri të Republikës. Pas mesnatës së 29 nëntorit, me granatë dore të llojit M-75, u sulmua ndërtesa e komunës së Zveçanit. Nuk kaluan shumë orë e në erë u hodh kanali i ujit të Ibër-Lepencit.

Tetë persona janë arrestuar për sulmin terrorist në veri të Kosovës dhe u sekuestruan edhe një arsenal armësh e pajisjesh ushtarake.

Në orët e para të vikendit, Këshilli i Sigurisë, angazhuan trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të patrullojnë pika të infrastrukturës kritike në lokacione të ndryshme në Kosovë. Kjo gjë po ndodh për herë të parë, ku trupat e armatosura patrullojnë në gjendje gatishmërie.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, për KosovaPress tregon se kanë disa vite që po mundohen si qendër të avokojnë implementimin e Ligjit për Mbrojtje të Infrastrukturës Kritike.

Vrajolli: Të mos përsëriten gabimet e shteteve fqinje

“Është strategjia e mbrojtjes, strategjia e sigurisë kombëtare, strategjia për luftim të terrorizmit, në përgjithësi kemi avokuar që këto të kenë parasysh rëndësinë që ka infrastruktura kritike në një masë ndoshta të paktën planet dhe veprimet janë trajtuar si çështje, por ajo çka është brengosje është fakti që nuk ka pasur ndonjë progres të matshëm sa i përket implementimit të ligjit për mbrojtje të infrastrukturës kritike. Ndonëse ky ligj është miratuar në vitin 2018, kanë mund të konsolidohen me organizmat kyç që e bëjnë koordinimin e implementimin të ligjit në fjalë. Shpesh iu ka ulur rëndësia infrastrukturës kritike, për shkak që jo domosdo ka dhënë një rol kyç sektorit të mbrojtjes në këtë fushë, po këto janë çështje që mbase edhe janë të trajtuara në vende të ndryshme... Është mirë që shoqëria jonë të mos bëjë gabimin e njëjtë si shtetet fqinje, ku ky fenomen ka filluar të trajtohet seriozisht vetëm kur janë ballafaquar me sulme si ky në Ibër-Lepenc, e mbase në një gatishmëri më të madhe të institucioneve për t’i parandaluar këto probleme, këto incidente edhe kishin mund të evitohen,” tha ai.

Vrajolli thotë se sulmi i fundit është serioz për infrastrukturën kritike, andaj FSK do duhej patjetër të përfshihej në patrullime.

Vrajolli: Dëme të tilla në infrastrukturë mund ta paralizojë një pjesë të shoqërisë

“Roli i Forcave të Armatosura është të sigurojë territorin dhe sigurinë kombëtare. Kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike gjithsesi përbën kërcënim ndaj sigurisë kombëtare dhe në raste të tilla është e domosdoshme që edhe Forca e Sigurisë të jetë aktive për t’i dalë në mbështetje institucioneve të tjera siç është policia dhe organet e tjera të sundimit të ligjit. Është pa tashmë që ne kemi një pjesë të infrastrukturës kritike që është jashtëzakonisht e lëndueshme për faktin që kjo infrastrukturë ndodhet në një pjesë ku deri vonë nuk ka pasur aq kontroll efektiv të institucioneve të sigurisë dhe mendoj se edhe mënyra se si do të rrjedhin kërcënimet e ardhshme janë të orientuara kryesisht në dëme të tilla që mund ta paralizojë një pjesë të shoqërisë apo edhe me gjerë se aq. Tashmë po vërehet se ka afektim të një numri të konsiderueshëm të komunave, është afektuar edhe Korporata Energjetike e Kosovës dhe mbase në këtë këndvështrim duhet të sigurohemi që institucionet e sigurisë të ketë prioritet infrastrukturën kritike”, tha ai.

Vrajolli tha se është detyrë e FSK-së dhe Policisë së Kosovës që të mbrojnë infrastrukturën kritike të shtetit të tyre.

Pas vendimit të Këshillit të Sigurisë për angazhimin e FSK-së në mbështetje të autoriteteve civile, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci kanë mbikëqyrur ditë më herët pikat statike dhe patrullat ushtarake të vendosura në Obiliq e Vushtrri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat