Sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit ka bërë që edhe sonte (e diel), kryeministri Albin Kurti të dalë në konferencë për media.
Ndër të tjera, Kurti tha se në veri jemi të hendikepuar sepse “ushtria jonë nuk mund të shkojë atje nga zotimi i ish-kryeministrit Thaçi”.
“Kanali Ibër-Lepenc, është një kanal prëj mbi 50km dhe natyrisht që është tejet e vështirë që ai të kontrollohet e të jetë në mbikëqyrje 24/7 në tërë gjatësinë e tij. Pra nuk bëhet fjalë për 50 metra, por për më shumë se 50km. Në veriun e Kosovës ne jemi të hendikepuar meqenëse ushtria jonë që nga zotimi i ish-kryeministrit Thaçi në vitin 2013 nuk mund të shkojë në veri të Ibrit dhe në këtë mënyrë atje nuk është situata sikurse në pjesët tjera të vendit tonë”, tha Kurti në konferencë për media.
“Ne po e respektojmë letrën e pararendësit tim, ndonëse unë as s’e kam mirëpritur e as s’më pëlqen, por e respektojmë, Në veri kemi KFOR-in dhe Policinë e Kosovës. A do të ishte më mirë, më sigurt të ishte ushtria e Kosovës? Po, por ne respektojmë atë zotim të pararendësit”, është shprehur ai.
“Këso sulmesh u ndodhin edhe vendeve demokratike-perëndimore, madje do të thosha edhe më shumë se neve. Por imagjinata terroriste-kriminale e sponsorizuar nga një shtet që është më i madh sesa i yni e me traditë të gjatë e të gjerë të kësoj lloj sulmesh, e që e ka aleat të ngushtë Federatën Ruse, e kanë bërë këtë gjendjen në të cilën ne ndodhemi”, u shpreh Kurti.
Kurti tha se Serbia ka nervozizëm, “meqenëse nuk e posedojnë më veriun e Kosovës atëherë dëshirojnë të thonë nuk ju lëmë rehat”.