“Keni vjedh me kravata”, “Pis”, Haxhiu dhe Basha shkëmbejnë fjalë të rënda mes vete në seancë

Aktuale

“Keni vjedh me kravata”, “Pis”, Haxhiu dhe Basha shkëmbejnë fjalë të rënda mes vete në seancë

Më: 2 dhjetor 2024 Në ora: 07:52 Përditësuar në ora: 19:42 më 02.12.2024
Basha, Haxhiu

“Pis”, “hajn”, Haxhiu dhe Basha shkëmbejnë fjalë të rënda mes vete në seancë

Një debat i ashpër është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës të hënën në mes të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha dhe atij të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu.

Basha në fjalimin e tij foli sesi “Qeveria e ka çliruar veriun e Kosovës”, duke thënë se pa Albin Kurtin në “veri kthehet Serbia” e “në jug Lushtakët”.

Por Bekim Haxhiu i tha se nuk po e di apo e dëgjon një deputet apo Burdushin.

“Isha në dilemë a ishim duke e dëgju një deputet të Kuvendit të Kosovës apo Burdushin me parashikimet e tij. Me dalë Dimali, që Oqaeni Atlantik nuk të ka ndalë me ikë në 1999, e me na qit patriotizëm ti. Ma Dimal, se nuk po shkon”, ka thënë Haxhiu.

Më pas doli, Basha duke thënë se nuk mund të jesh trim e pastaj hajn.

“Në jemi duke ju kritiku që keni vjedh me kravata, jo që keni luftu atje. Nuk mundesh me qenë trim, trim, trim, tani me dalë hajn, hajn, hajn. Nuk dhez kjo”, tha Basha.

Kjo bëri që të dalë në foltore sërish Haxhiu, duke i thën Bashës “pis”.

“Dimal, ti e dinë që të njoh mirë. Edhe më mashtrues, më hajn, më keqpërdorues sesa ti nuk ka. Ti mendon kështu se kjo është logjika e Vetëvendosjes që ushtarët e UÇK-së, kanë luft, kanë luftu, hajt ti etiketojna. Pse o pis, pse o pis, pse o pis”, ka thënë Haxhiu.

Fjalimi i Haxhiut u ndërpre nga nënkryetarja Saranda Bogujevci, e cila njëjtë nuk veproi me Bashën kur në replikën me Haxhiun përdori shprehjen “hajn”.

Deliu: Qytetarët morën borxh për gjërat esenciale, Kurti s’flet për këtë

Deputetja e PDK-së Blerta Deliu Kodra, ka kritikuar qeverisjen Kurti, duke thënë se gjatë vitit 2023 e 2024 qytetarët kanë hyrë në borxh për gjërat esenciale.

“Viti 2023-2024, qytetarët e Kosovës kanë hyrë në borxh ose në kredi, veç për gjërat esenciale.

Për të mbuluar muajin, 32 për qind e qytetarëve të Kosovës është dashur të hyjnë në kreditkartë borxh, për të blerë vaj, miell, bukë”.

Ajo tutje në seancën plenare në Kuvend, tha se kryeministri Albin Kurti nuk flet për këtë, por për një Kosovë të zhvillimit.

 

Kryeministri: Aksionet terroriste në veri po ndodhin sepse tash atje ka integritet territorial

Kryeministri Albin Kurti, thotë se tani që ka më shumë sovranitet dhe integritet territorial në veri, po ndodhin aksione terroriste atje.

“Pikërisht pse ka shumë më tepër sovranitet, integritet territorial, ligjshmëri, kushtetshmëri në veri, ka më shumë aksione terroriste tash”, u shpreh ai.

Shefi i qeverisë tutje në seancën plenare të Kuvendit, tha se dikur kur strukturat paralele të Serbisë, e kanë kontrolluar veriun, dhe se siç shprehet ai atëherë nuk kanë pasur nevojë për sulme terroriste.

“Dikur kur strukturat paralele të Serbisë, e kanë kontrolluar veriun, atëherë nuk kanë pasur nevojë për sulme terroriste. Dikur i kanë pasur 4 ndërtesa kryesore, në katër komuna të stacioneve të policisë”.

Kurti: Kryesorja e këtyre viteve të qeverisjes është rritja ekonomike

Kryeministri Albin Kurti, gjatë seancës plenare, në foltoren e Kuvendit, ka lavdëruar punën e qeverisjes së tij gjatë këtij mandati.

Ai tha se kryesorja e këtyre viteve të qeverisjes është rritja ekonomike.

“Kryesorja e këtyre katër viteve të qeverisjes është rritja ekonomike, e cila është 6.36 për qind e bruto produktit vendor mesatarisht në këto tri vite. Asnjëherë pa rënën nën 4 për qind, natyrisht rritje reale pasi të hiqet inflacioni”, u shpreh Kurti.

“Në kuadër të kësaj rritjeje ekonomike kemi edhe dyfishim të eksporteve, edhe më shumë se dyfishim të investimeve të huaja”, shtoi ai.

Shefi i qeverisë tutje tha se ka hyrje shumë të lartë të të hyrave në buxhetin e Kosovës.

“Konkretisht këtë vit janë mbi 3 miliardë të hyra tatimore”.

Berisha për sulmuesit në Ibër-Lepenc: Mund të jenë mercenarë, që deshën destabilizimin në prag të zgjedhjeve

Deputeti i AAK-së Bekë Berisha, ka dhënë tri verzione që sipas tij mund të jenë të sakta, në pyetjen se kush janë terroristët që shpërthyen kanalin në Ibër-Lepenc.

“Terroristët të cilët kanë kryer sulmin sipas meje bëjnë pjesë në njërën prej tri grupeve. 1. Mund të jenë grup lokal i papërvojë me resurse teknike, materiale të limituara, kjo mund të shpjegohej edhe në mungesën e përvojës në vendosjen e eksplozivit, sasinë e limituar dhe mungesën e një sulmi të koordinuar”, u shpreh ai në seancën e Kuvendit.

Berisha tutje tha se mund të jetë një grup i organizuar mirë nga Serbia.

“2. Grup i mirëorganizuar me origjinë në Serbi, në këtë rast kemi të bëjmë me një sulm paralajmërues i cili mund të përsëritet dhe përshkallëzohet, ku caqet në të ardhmen mund të jenë në veri, në pjesë të brendshme të Kosovës, apo në shtete fqinjë”.

Ai supozoi se kjo mund të jetë kryer edhe nga mercenarë, për të destabilizuar vendin në prag të zgjedhjeve.

“3. Një palë e tretë me mercenarë që mund të jenë të nacionaliteteve të ndryshme, të nxitura, të financuara me qëllim të destabilizimit në prag të zgjedhjeve”

“Rrenc, shpifës”, përplasen ministri Vitia e deputeti Haxhiu

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia janë përplasur në kuvendin e Kosovës.

Pasi Haxhiu tha se 1 milion më pak shërbime laboratorike në QKUK janë kryer gjatë mandatit të qeverisë Kurti, ministri i Shëndetësisë e mohoi këtë duke replikuar.

“Rrenc, mashtrues, shpifës je vetë”, tha Haxhiu pasi Vitia i ndërhynte gjatë fjalimit.

Më pas, ministri i Shëndetësisë tha: “Lumet ju që mundeni me folë bash çka t’ju teket pa argumente”.

“Thua ka 1 milion ma pak shërbime laboratorike në QKUK i dashur Bekim, në vitin 2017 ishin 1.3 milion shërbime laboratorike, në vitin 2018, 1.5 në 2019, 1.6 në 2023 i dashuri dhe i nderuari Bekim Haxhiu, deputet që ulesh edhe flet atë që nuk duhet me folë janë mbi 4 milionë”.

“Mos gënje, edhe nëse gënjen, gënje përtoke jo për qielli”, tha më tutje Vitia.

Geci: Kryeministri e nisi qeverisjen me veprime që i përngjajnë praktikave të paraardhësve të tij

Deputetja e LDK-së Marigona Geci ka thënë se kryeministri Kurti dhe partia e tij nuk përfaqësojnë ndryshimin, por janë vazhdim i të këqijave për vendin.

Kryeministri e nisi qeverisjen me veprime që i përngjajnë praktikave të paraardhësve të tij. Duke nisur me kontrabandimin e deputetëve. A ju kujtohet kur këtu në Kuvend u paraqit krah për krah me një deputete të një partie tjetër.

Në mars të vitit 2021 një person i dërguar nga kryeministri Kurti erdhi në shtëpinë e babait tim në fshatin Llaushë për ta blerë votën time në këmbim të pozicioneve politike. Ky është një shembull konkret që tregon se si vepronit për të siguruar mbështetje”, ka thënë Geci mes tjerash ndërsa ka publikuar edhe një videomesazh të komunikimit të Gani Gecit me një person tjetër, në lidhje me këtë çështje.

Ajo është përplasur edhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu rreth rastit Dehari dhe çështjeve të tjera që ndërlidhen me sistemin.

​Kadrijaj: Kurti po tregon përralla në Kuvend

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për keqqeverisje.

Ajo në seancën e sotme të Kuvendit, tha se kreu qeveritar tregoi përralla para deputetëve.

Kadrijaj: Kryeministri tregoi përralla

“Kryeministri na tregoi përralla. Jemi ngi përralla kryeministër dhe është dashur të tregosh se çka ke bërë konkret. Një kryeministër me dal me fol për shëndetësi, arsim, infrastrukturë tu i pas krejt këta ministra këtu, po del se ministrat i ke të paaftë. Barrën e krejt kësaj qeverie e ke marrë ti...Kryeministri tha se s’kam premtuar në fushata as njohje të reja, as anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe as avancimin në agjendën evropiane. Atëherë s’po di ku je koncentruar kryeministër. Pse s’je shku me u bërë drejtor i një shkolle fillore, apo një shkolle të mese, pasi si kryeministër ke përgjegjësi me u shqetësu dhe punu në secilin sektor të jetës”, tha ajo.

Sipas saj kryeministri Kurti se ka mbajtur asnjë premtim të fushatës zgjedhore.

Kadrijaj: Kryeministri Kurti se ka mbajtur asnjë premtim të fushatës zgjedhore

“A e ke pas premtim kryeministër se pa e gjetur të fundit person të pagjetur s’ke me dialogu me Serbinë. A ke thënë se nuk do të ulem me dialogu me Serbinë pa kërku falje për krimet e ndodhura në Kosovë. Po ashtu po më vjen keq për babën e Astrit Deharit se keni thënë se kemi me zbardh rastin e Astrit Dehari, por s’ndodhi kjo. Përkundrazi i keni zhduk mostrat dhe keni djeg Institutin e Mjekësisë Ligjore...Ke pranuar një marrëveshje të keqe e cila është marrëveshje e Zajednicës”, shtoi Kadrijaj.

Në anën tjetër, ajo tha se Qeveria Kurti ka vjedh aty ku sipas saj s’duhet të vidhet.

Kadrijaj: Keni vjedh aty ku s’duhet të vidhet

“Keni vjedh aty ku s’duhet të vidhet. Keni goditur ushtrinë e Kosovës. Sot ushtarët e Kosovës po hajnë bukë e pashteta. Sot ushtarët e Kosovës s’kanë uniforma”, theksoi Kadrijaj.

Peci: Auditorit nuk gjeti asnjë shkelje të vetme në programin e granteve 2023

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë para deputetëve se që nga koha që ka marrë mandatin në krye të kësaj ministrie, gjithsej 20 zyrtarë janë arrestuar.

Peci tha se një numër i konsiderueshëm i këtyre zyrtarëve e kanë pranuar fajësinë për marrje ryshfeti.  

Me duhet që të bëjë publike që në periudhën pasi që unë jam bërë ministër, janë 20 zyrtarë të arrestuar të Ministrisë së Bujqësisë, ku një numër i konsiderueshëm i tyre e kanë pranuar fajësinë për marrje ryshfeti e disa prej të cilëve dhanë ryshfet.

Janë vetë zyrtarët që janë të suspenduar për shkak të shkeljeve të evidentuara, ndërsa tash unë kam pranuar sot raportin e Auditorit në të cilin flet për programin e grantit të vitit 2023 mes tjerash thotë se ‘konsiderojmë se nuk kemi arritur që të gjejmë asnjë shkelje të vetme’. Në aspektin moral flasim sa të doni, po diskutimin për kategoritë morale më shumë është vend në kishë dhe xhamia”, tha Peci.

Deputeti i PDK-së përmend ikjen e mjekëve, i kundërpërgjigjet Vitia

Ikja e mjekëve nga vendi ka përplasur edhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe deputetin e PDK-së, Abelard Tahiri.

Ministri Arben Vitia thotë se kanë ikur vetëm 80 mjekë derisa sipas tij janë rikthyer 196 mjekë për shkak të përmirësimit të kushteve të punës.

“U përmenden sigurimet shëndetësore çdo hap që jemi duke e bërë është në kuadër të sigurimeve shëndetësore. Deputet të nderuar e qytetarë të dashur nuk mund t’iu kërkojmë 3.5% nga pagat e juaja pa i rregulluar shërbimet dhe pa i shtuar këto shërbime. Nuk kemi premtuar për spitalet e reja këtë, nuk di nga doli, mirëpo për spitale të reja kanë premtua ata në fushata”, theksoi ai.

E deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri tha se për katër vite qeverisje kanë ikur 600 mjekë nga sektori publik.

“Prej vitit 2020 kur ti je emëruar për herë të parë ministër i Shëndetësisë deri në këtë vit kur ti ende je ministër i Shëndetësisë dhe po e përfundon me kismet prej zotit kanë ikur 600 mjekë, jo për infermierë, jo për teknik medicional, mjekë dhe mjeke 600 kanë ikur”, tha Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat