Sulmi në Ibër-Lepenc dhe takimi i Kurtit me liderët e QUINT-it – Zyra e kryeministrit zbulon këto detaje

Aktuale

Sulmi në Ibër-Lepenc dhe takimi i Kurtit me liderët e QUINT-it – Zyra e kryeministrit zbulon këto detaje

Më: 2 dhjetor 2024 Në ora: 09:56 Përditësuar në ora: 13:55 më 02.12.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

Takimi i Kurtit me QUINT-in, zyra e kryeministrit jep detaje

Zyra e kryeministrit ka dhënë detaje për takimin e Albin Kurtit me QUINT-in, i zhvilluar sot për sulmin që ndodhi më 29 nëntor në kanalin e Ibër Lepencit.

Në takim, Kurti ka theksuar se qëllimi i këtij sulmi ka qenë dëmtimi i prodhimit të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë në pjesën më të madhe të vendit, duke qenë sulmi i tretë në 72 orë kundër Republikës sonë, pas atyre të 26 dhe 28 nëntorit në stacionin policor në Zveçan dhe në afërsi të objektit të kësaj Komune.

Më tutje bëhet e ditur se Kurti në takim ka thënë se një sulm të tillë të ngjashëm ndaj infrastrukturës kritike e kemi parë pak ditë më parë edhe kundër infrastrukturës kritike të Ukrainës, e cila u sulmua nga raketat ruse. Shtoi se indikacionet tregojnë se sulmi është kryer nga grupe e persona profesionistë e të mbështetur e dirigjuar nga Serbia.

Ai i informoi diplomatët prezentë se Policia po i zhvillon hetimet, gjersa tashmë ka të arrestuar të dyshuar të ndërlidhur me sulmin e përgjegjës për ekzekutimin e tij, si dhe dëshmi e prova materiale, ndër to edhe armë, eksplozivë e uniforma dhe emblema të njësive ushtarake ruse. Kryeministri nënvizoi se kriminelët e terroristët do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës.

Më tej, foli edhe për rëndësinë e ekstradimit dhe arrestimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, duke organizuar e planifikuar me mbështetjen edhe të Beogradit zyrtar dhe Presidentit Aleksandar Vuçiq, sulme në vazhdimësi ndaj Republikës së Kosovës. Serbia vazhdon të mbështesë grupet terroriste me armë, financa dhe logjistikë, që solli që pas sulmit në Banjskë të pasojnë edhe sulme të tjera, përfshirë edhe aktin e fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

Ndër të tjera, në komunikatë thuhet më tutje se Kurti shprehu falënderimin e tij për të gjithë partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre ndaj Republikës së Kosovës.

Orav përsërit thirrjen e Borrellit për sulmin terrorist në Ibër Lepenc

Avio Orav, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ka përsëritur thirrjen e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ka dënuar ashpër sulmin e 29 nëntorit në Ibër Lepenc, dhe e ka quajtur sabotazh e akt terrorist.

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Orav nuk tha asgjë më tepër për mediat, vetëm se thirrja e Borrellit ishte e qartë, dhe se u njoftuan me zhvillimet e fundit mbi sulmin e të premtes mbrëma.

Patëm një takim me kryeministrin Kurti dhe komunitetin ndërkombëtar. Kryeministri pati mundësinë të na informojë për zhvillimet e së premtes mbrëma.

Nga ana e Bashkimit Evropian, Borrelli ka bërë një thirrje të qartë që nuk do ta përsëris sepse dihet tashmë”, tha Orav.

Hovenier: Në këtë pikë, SHBA nuk mund të thotë se kush është mbrapa sulmit në Zubin Potok

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, është deklaruar pas takimit me Kurtin.

Ai tha se Kurti i ka ftuar për t’i informuar për sulmin në Ibër- Lepenc.

Hovenier e përsëriti që SHBA e dënon “sulmin në infrastrukturën kritike të Kosovës” duke shtuar se mbështesin hetimet dhe se do të ofrojnë “mbështetje të plotë” për autoritetet e Kosovës në hetimin e këtij sulmi.

Ne mendojmë që është e rëndësishme që personat përgjegjës të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”, tha ai.

“Në këtë pikë, SHBA nuk është në pozicion të atillë që të thotë se kush është mbrapa këtij sulmi… Këto gjëra kërkojnë hetim të kujdesshëm. Ajo çka mund të them është që ne kemi ofruar mbështetje për autoritetet e Kosovës dhe mendojmë që është e rëndësishme që të ketë një hetim kredibil për të idenitifikuar personat përgjegjës dhe të sigurohemi që ata të mbahen përgjegjës. Ajo çka mund të them në këtë pikë është që nuk mund të themi se kush është përgjegjës dhe nuk jemi në pozitën për të përjashtuar ndonjë grup ose shtet. Është shumë herët”, tha Hovenier.

Ai shtoi se janë të përkushtuar që në momentin që të dihen personat përgjegjës do të bashkëpunojë me autoritetet që ata të mbahen përgjegjës.

Ky është zotim i SHBA’së dhe besoj që edhe i partnerëve tjerë”, tha ai.

Ndërsa shefi i zyrës së BE’së në Kosovë, Aivo Orav, tha se e mbështet deklaratën e Borrellit.

Hovenier: ShBA po punon ngushtë me institucionet e vendit për të gjetur personat përgjegjës për sulm të papranueshëm

Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti  ka thënë se ky sulm ka targetuar infrastrukturën kritike të Kosovës, teksa e ka quajtur të papranueshëm.

Ai ka thënë se ShBA po punon ngushtë me institucionet e vendit për të gjetur personat përgjegjës për këtë sulm të papranueshëm.

I pyetur se a mund të mbahet Serbia përgjegjëse për këtë sulm,  ai ka thënë se është herët që të dihet saktë se kush ka pasur gisht në sulm.  

Nuk jemi ende në atë pikë që ta dimë se kush ka pasur gisht në sulm”, tha Hovenier

Kurti në takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paraditen e së hënës ka pritur në zyrë ambsadorët e vendeve të QUINT-it.

Burime të Reporteri bëjnë të ditur se, do të ketë edhe adresim para mediave në ora 10:00.

Kujtojmë, se i menjëhershëm qe reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit, të cilët dënuan ashpër dhe thanë se do po monitorojnë situatën nga afër dhe do të japin mbështetjen për një hetim gjithpërfshirës, dhe se kanë ofruar mbështetjen e tyre Qeverisë së Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës.” thuhet në reagimin e Ambasadës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat