Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj me përfaqësues të degës së tretë të LDK-së në kryeqytet, kanë bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova në përvjetorin e lindjes së tij.
Zogaj tha se çdo ditë po vërehet mungesa vizionit të Rugovës për një Kosovë të zhvilluar e demokratike e sidomos kohëve të fundit na duhet urtësia e tij që ai gjithmonë e ka ushqyer për këtë vend.
“Sot jemi në nderime te varri i presidentit Rugova. Është një ditë e veçantë për të gjithë ne, sidomos për degën të LDK-së të cilën unë e udhëheq. Presidenti Rugova është një figurë të cilën ne e ndjekim, e lartësojmë dhe i përjetshëm do të jetë kujtimi për të e sidomos çdo ditë e më shumë po e vërejmë mungesën e tij, urtësisë së tij dhe po e shohim çdo ditë vizionin e tij për një Kosovë të zhvilluar e demokratike e sidomos kohëve të fundit na duhet urtësia e tij që ai gjithmonë e ka ushqyer për këtë vend”, tha Zogaj.
Data 2 dhjetor, shënon ditën e lindjes së ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ai sot do të mbushte plot 80 vjet. Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 në Cërrcë të Istogut, ndërsa vdiq më 21 janar të vitit 2006, në moshën 61-vjeçare. Ish-presidenti Rugova kujtohet me lavdi e krenari, veçanërisht për Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, ngjarjen e veçantë të vendit në rrugëtimin historik e politik drejt lirisë e pavarësisë së Kosovës, e cila unifikoi popullin rreth kësaj kauze, vuri bazat juridike e institucionale të shtetësisë si dhe fitoi përkrahjen e botës demokratike.