Pasi deputeti i larguar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Haki Abazi, zyrtarizoi një ditë më parë anëtarësimin e tij në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ai sot është pozicionuar në ulësen e deputetëve të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.
Kjo vjen pas njoftimit të tij për kandidimin në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, si përfaqësues i kësaj partie.
Abazi, i cili kishte konfirmuar anëtarësimin e tij në AAK përmes një konference për media, shoqëruar nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se është e nevojshme një qeverisje me një vizion dhe plan të qartë për të realizuar objektivat prioritare të Kosovës.
Ai theksoi se një prej qëllimeve kryesore është “Integrimi i Kosovës në NATO”, një hap që Abazi e konsideron si një nga qëllimet më të rëndësishme për ardhmërinë e vendit.
Ndërkohë, sot pritet të mbahet seanca plenare në Kuvendin e Kosovës, ku njëra nga pikat kryesore të rendit të ditës do të jetë projektrezoluta për katër vjet qeverisje.