Takimi i Kurtit me QUINT-in, zyra e kryeministrit jep detaje

Aktuale

Takimi i Kurtit me QUINT-in, zyra e kryeministrit jep detaje

Më: 2 dhjetor 2024 Në ora: 13:52
Foto nga takimi

Zyra e kryeministrit ka dhënë detaje për takimin e Albin Kurtit me QUINT-in, i zhvilluar sot për sulmin që ndodhi më 29 nëntor në kanalin e Ibër Lepencit.

Në takim, Kurti ka theksuar se qëllimi i këtij sulmi ka qenë dëmtimi i prodhimit të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë në pjesën më të madhe të vendit, duke qenë sulmi i tretë në 72 orë kundër Republikës sonë, pas atyre të 26 dhe 28 nëntorit në stacionin policor në Zveçan dhe në afërsi të objektit të kësaj Komune.

Më tutje bëhet e ditur se Kurti në takim ka thënë se një sulm të tillë të ngjashëm ndaj infrastrukturës kritike e kemi parë pak ditë më parë edhe kundër infrastrukturës kritike të Ukrainës, e cila u sulmua nga raketat ruse. Shtoi se indikacionet tregojnë se sulmi është kryer nga grupe e persona profesionistë e të mbështetur e dirigjuar nga Serbia.

Ai i informoi diplomatët prezentë se Policia po i zhvillon hetimet, gjersa tashmë ka të arrestuar të dyshuar të ndërlidhur me sulmin e përgjegjës për ekzekutimin e tij, si dhe dëshmi e prova materiale, ndër to edhe armë, eksplozivë e uniforma dhe emblema të njësive ushtarake ruse. Kryeministri nënvizoi se kriminelët e terroristët do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës.

Më tej, foli edhe për rëndësinë e ekstradimit dhe arrestimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, duke organizuar e planifikuar me mbështetjen edhe të Beogradit zyrtar dhe Presidentit Aleksandar Vuçiq, sulme në vazhdimësi ndaj Republikës së Kosovës. Serbia vazhdon të mbështesë grupet terroriste me armë, financa dhe logjistikë, që solli që pas sulmit në Banjskë të pasojnë edhe sulme të tjera, përfshirë edhe aktin e fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

Ndër të tjera, në komunikatë thuhet më tutje se Kurti shprehu falënderimin e tij për të gjithë partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre ndaj Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat