Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci tha në një intervistë për Euronews Albania se sulmi ndaj kanalit të ujit në Zubin Potok është i lidhur me sulmin që një ditë më parë Rusia kishte kryer në infrastrukturën energjetike të Ukrainës duke lënë pa energji elektrike 1 mln banorë.
Kjo lidhje, theksoi Maqedonci, përforcohet më tepër me gjetjet e dhjetëra emblemave nga njësite të ndryshme të ushtrisë ruse të gjetura gjatë kontrolleve të policisë së Kosovës në disa banesa në Veri.
“Situata është nën menaxhimin të qeverisë së Kosovës, sa i përket dëmeve që shkaktoi sulmi, të gjitha ministritë kanë aktivizuar instrumentet që të menaxhojnë situatën. Është mundësuar furnizimi me energji elektrike dhe ujë të banorëve të zonës. E gjitha ishte e sinkronizuar, e ndërlidhur me aktivitete të tilla në nivel global.
Ne kemi gjetur një lidhje të sulmit të 29 nëntorit me sulmin e një ditë me herët që forcat ajrore ruse bënë ndaj infrastrukturës energjetike në Ukrainë, duke lënë pa energji 1 mln abonetë, duke shkaktuar katastrofë humanitare. Kjo forcohet edhe me faktin që gjatë kontrolleve janë gjetur emblema të ushtrisë ruse të njësive të ndryshme që gjendeshin bashkë me armët dhe uniformat në banesat ku u krye kontrolli. Kjo tregon për një ndërlidhje prej shumë aktorëve në këtë sulm”, tha Maqedonci.