Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se lidhur me rastin e ndodhur ditë më parë në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potok-ut, respektivisht në pjesën e kanalit të “Ibër Lepencit’, se më 30.11.2024, Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin Special nga Prokuroria Speciale ka kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme dhe pajisje tjera.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se me këtë rast në stacionin policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve Publike”, nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
“Me vendim të prokurorit dy prej tyre, me inicialet D.V. dhe D.M. nga komuniteti serb, janë ndaluar ku për personin D.V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe masa e paraburgimit është caktuar nga Gjykata për 1 muaj, kurse i dyshuari D.M nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, më 1 dhjetor 2024 me vendim te Prokurorit është ndaluar edhe i dyshuari J.V nga komuniteti serb, i cili ishte në kërkim lidhur me këtë vepër penale.
“Në shtëpinë e të njëjtit është kryer kontroll, ku janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm i armëve dhe pajisjeve tjera.
Veprimet hetimore për këtë rast janë duke vazhduar”, bëhet e ditur në njoftimin e Prokurorisë Speciale.