Janë mbledhur për të festuar Ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara. Mirëpo, drejtues të shoqatës Handikos u shprehen se nuk janë të kënaqur me kushtet që institucionet përkatëse po u ofrojnë kësaj kategorie.
Drejtori i Handikos, Afrim Maliqi me këtë rast tregoi se është një shifër e vogël e fëmijëve me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në arsim, pasi që sipas tij, shkollat nuk ofrojnë kushtet e duhura për këtë kategori.
“Përkundër përpjekjeve të shumta që ka pasur Qeveria dhe vazhdon të këtë, situata ende mbetet jo e mirë, në disa fusha, si në fushën e rehabilitimit, fushën e qasjes, domosdoshmërisht më duhet ta ceki edhe çështjen që është me shumë rëndësi, që është arsimimi. Vlerësohet se vetëm 12 deri në 13 për qind të fëmijëve me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në arsim. Shumica e fëmijëve ende nuk kanë mundur të përfshihen në sistemin arsimor dhe kjo për disa çështje. Gjendja shëndetësore e fëmijëve e cila është që shpesh herë nuk ka shërbime të duhura shëndetësore për ta, mbështetja ekonomike jo e mjaftueshme e familjeve, transporti jo i qasshëm gjithashtu edhe shkolla jo të qasshme sipas standardëve të cilat duhet të jenë dhe kjo mendoj që është një çështje që jo vetëm Ministria e Arsimit, por duhet të jetë një qasje multi-sektoriale ku të gjitha ministritë, por gjithsesi edhe niveli lokal do të duhej të bënin shumë më shumë për arsye se këta fëmijë rriten, këta fëmijë edukohen, këta fëmijë duhet të jenë e ardhmja jonë”, tha ai.
Maliqi përmendi çështje të ndryshme duke kërkuar nga kryeministri që të mbajnë marrëdhënie të ngushta me qendrën e tyre. Një ndër to ishte edhe mundësia e renovimit apo ndërtimit të një qendre të re, pasi që ajo që janë tani është e ndërtuar në vitin 2003.
E kryeministri i vendit Albin Kurti, ku ju drejtua fëmijëve e të rriturve që ishin prezent, tha se nuk janë vetëm kjo kategori, e sipas tij, shteti i Kosovës është me ta.
“Këtë vit Qeveria e Republikës së Kosovës kanë rritur pensionet edhe për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara për 20 për qind e gjatë vitit 2023 numri i përfituesve të skemës e kompensimit ka qenë 3 mijë e 6 persona, si dhe vlera e buxhetit të shpenzuar diku afër 11.5 milionë euro. Por siç e tha edhe kryetari Afrimi pas publikimit të plotë të rezultateve të regjistrimit të popullsisë ne do mund ta kemi edhe pasqyrën e saktë po edhe planifikimin më të mirë për të ardhmen. Për herë të parë po e iniciojmë ligjin për personat e shurdhër, është duku u zhvilluar koncept-dokumenti për ofrimin e shërbimeve në gjuhën e shenjave për qytetarë të shurdhër në Kosovë, pastaj zyra për qeverisje të mirë në kuadër të kryeministrisë është duke i publikuar ligjet dhe dokumentet relevante në shkrimin braj për personat e verbër në Kosovë. Deri më tani në vendin tonë janë punësuar 339 asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara, ndërkaq ne i bëjmë thirrje edhe një herë komunave të Kosovës që të aplikojnë sepse kemi buxhetuar deri në 500, pra ka më shumë mundësi sesa realizim. Me këtë rast dëshirojmë të tregojmë zotimin tonë, fëmijët me aftësi të kufizuara nuk janë vetëm barrë e familjes por edhe e shtetit tonë, i cili ndihmon përmes këtyre asistentëve”,u deklarua ai.
Kryeministri Kurti premtoi se do ta rrisin ndjeshmërinë, ndihmën, mbështetjen dhe përkrahjen e familjeve me persona me aftësi të kufizuara.
Pjesë e publikut ishte edhe Eldin Gashi, 19-vjeçar që studimet po i ndjek në një universitet privat, pasi që Universiteti i Prishtinës, nuk përmbush kushtet që Gashit i nevojiten. Ai tregon se është diskriminuar qysh nga shkollimi e deri tek institucionet shtetërore të mjekësisë.
“Unë jam Eldin Gashi, jam person me aftësi të kufizuara. Tash i kam 19 vjet. Shkollën e mesme e kom krye në gjimnazin Ahmet Gashi. Tani studimet po i ndjekim në fakultet privat pasi që fakulteti shtetëror qysh e dina nuk i plotëson të gjitha kriteret dhe kushtet që na me pas një lëvizje sa më të lirë ku ne shkollohemi dhe arsimohemi... Ne sfidohemi çdo ditë me qasjen fizike, me kushtet, me diskriminim edhe bulëzimin. Ne e dimë që me dashje po edhe pa dashje ne bullizohemi për sa i përket bashkëmoshatarëve, mësimdhënësve e të rriturve... Gjatë vitit 2019 e kam pas një problem tjetër. Kam pasur një problem anësor, problem ky që ka me më ndjek gjatë jetës dhe për sa i përket kësaj jam ballafaqua me QKUK, ku aty e kam pa që nuk ka qasje të duhur dhe nuk ka shërbim të duhur për sa i përket sfidës dhe sëmundjes time. Transplantin e kam bërë në një spital privat ku të gjitha i kam pagua vet”, tha ai.
Përvojat jetësore dhe problemet i ndau edhe një nënë, Fidajete Pllana që përkujdeset për fëmijën e saj me aftësi të kufizuara.
“Takime si këto janë të nevojshme dhe të domosdoshme shumë shpesh e jo një herë në vit, sepse nevojat dhe kërkesat e personave me aftësi të kufizuara janë të përhershme, ashtu siç është i nevojshëm shërbimi ndaj tyre 24 orësh... Gjendja e tyre ekonomike dhe sociale e cila rëndohet çdo ditë e më shumë, duke filluar nga infrastruktura, marrja e shërbimeve, mjetet ndihmëse, mungesa e asistentëve nëpër shkolla e shumë e shumë nevoja tjera. I nderuar Kurti për këta persona duhet menduar çdo ditë, sepse edhe këta janë pjesë e kësaj shoqërie edhe këta i takojnë çdo institucioni sepse të drejtat e tyre janë të garantuara me ligj dhe kushtetutë... Ky vend ku sot po flasim është i vetmi vend ku na bashkon të gjithë prindërit me emocionet tona, hallet dhe dertet tona të përditshme. Këtu është vendi i vetëm ku fëmijët tanë kanë marr shërbime falas, gjithashtu është menduar edhe për mirëqenien e neve nënave sepse na ofrohet shërbimi, marrja për psikioterapi, gjithashtu kemi mbajt edhe aktivitete të ndryshme, gjë që ka ndikuar shumë në mirëqenien tonë”, tha ajo.
Prindërit e fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara që ishin të pranishëm kërkuan nga kryeministri Kurti që të përmirësohen kushtet ndaj tyre.
Takimin me Kurtin e shfrytëzoi edhe një nënë që kërkoi nga kryeministri, punësimin e djalit të saj.
Kurti nuk u largua edhe pa një dhuratë nga Handikos. Një libër me sfida personale të një personi me aftësi të kufizuara, iu dhurua atij.