Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati ka thënë se nuk është vendim i drejtë që KFOR refuzoi kërkesën e Kosovës për dërgimin e FSK-së në veri, pas sulmit në Ibër-Lepenc.
Kastrati tha se situata ka qenë e jashtëzakonshme dhe se përgjigjja e KFOR-it nuk ishte e duhura.
“Unë mendoj që nuk është dhënë përgjigjja adekuate, sepse situata ka qenë e jashtëzakonshme. Ka ndodhur një sulm terroriste në atë pjesë të Kosovës… Ky sulm nuk mund ta konstatojmë akoma a ka ndodhur nga serbët vendor në pjesën veriore apo kanë qenë një grup diversantësh terrorist që kanë hyrë nga territori i Serbisë dhe për këtë arsyeje mendoj që nuk është e drejtë”, ka deklaruar ai.
Tutje, ish komandanti i FSK-së, ka thënë se Qeveria e tanishme apo edhe ardhmja cilado që të jetë duhet që të bisedojë seriozisht me NATO-n që FSK-së mos t’i ndalohet që të intervenojë ku i kërkohet nga institucionet e Kosovës.
“Ekziston një marrëveshje dhe në kohën kur është bërë unë kam qenë drejtues i kësaj force në vitin 2013 që është bërë në atë kohë në mes të kryeministrit, Thaçi dhe NATOS, por unë mendoj që Qeveria e Kosovës e tashmja apo edhe e ardhmja tash pas zgjedhjeve kushdo që vjen do të duhet që të bisedojnë seriozisht me NATO-n që FSK-së mos ti ndalohet që të shkojë atje ku ka nevojë dhe atje ku urdhërohet nga institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës “, ka deklaruar ai në emisionin “Ditari” .
I pyetur për deklaratën e Kurtit se Kosova është hendikepuar pasi ushtria nuk mund të operojë në veri, për shkak të marrëveshjes që kishte bërë ish-kryeministri Thaçi me NATO-n, Kastrati tha se kryeministri aktual këtë po e përdor për konsum publik.
“Kryeministri Kurti këtë është duke e shfrytëzuar për konsum të brendshëm politik dhe për vota, sepse jemi në prag të zgjedhjeve dhe nuk duhet të akuzojmë dikë për diçka që ka ndodhë 11 vjet më herët, sepse ka ndodhë në rrethana krejt tjera”, tha ai.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR konfirmoi se institucionet e Kosovës, pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në Komunën e Zubin Potokut në veri më 29 nëntor, kishin kërkuar autorizim nga komandanti i KFOR-it për dërgimin e mundshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në zonën e prekur.
“Komandanti i KFOR-it nuk ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që tashmë janë ndërmarrë nga KFOR-i”, tha KFOR për REL.
Kosova e bëri këtë kërkesë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 të nënshkruar mes institucioneve të Kosovës dhe NATO-s, sipas së cilës, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, e siguroi NATO-n se FSK-ja nuk do të shkojë në veri pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.