Eksperti i Politikave të Sigurisë dhe Gjeopolitikës, Ilir Kulla, sulmin terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit e konsideron lojë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas Kullës, Serbia ka politikën e saj që veriun e Kosovës ta mbajë në një konflikt të ndezur duke shpresuar që do të ulët në tavolinë me ShBA-në dhe do të kërkojë rikonfigurim të kufijve.
“Është e qartë që gjithmonë aty është Serbia. Konteksti është që Serbia dëshiron ta mbaj çështjen e veriut të Kosovës si veriun e Sirisë, pra ta mbajë një konflikt të ndezur duke shpresuar që në kushtet e një armëpushimi në Ukrainë, ku Rusia do të duhet të ulet në tavolinë me ShBA-në dhe të flasi për rikonfigurimin e kufijve dhe ata duan të thojnë që edhe ne duam që të rikonfigurojmë kufijtë e Kosovës”, tha ai.
Kulla bëri të ditur se pas sulmit terrorist qëndron Serbia.
“Në këtë sulm e kemi lojën e Vuçiqit që bën thua nuk dinë gjë dhe thotë se ‘ku ta di unë, ndoshta kanë qenë shërbimet sekrete ruse me këta serbët e Kosovës pa më pyetur mua’ apo ‘ku e di unë?’. Është e qartë që nga A deri te Zh, problemi është politika zyrtare e Serbisë dhe Serbia”, deklaroi ai.
Të premten mbrëma kanali kryesor i ujit të Ibër-Lepenit në fshatin Varragë në Komunën e Zubin Potokut është sulmuar me mjet shpërthyes, me ç’rast u dëmtua rrjedha e ujit, ku edhe pati ndërprerje të furnizimit me ujë në kompanitë regjionale si dhe të energjisë elektrike.
Autoritet kosovare për këtë sulm e drejtojnë gishtin kah Serbia, derisa lidhur me rastin janë arrestuar edhe disa persona, si dhe Policia e Kosovës gjatë bastisjeve në veri atje ka konfiskuar një sasi të madhe të armatimit e municionit.