Paralajmëron Jasharaj: Rreth 2000 veta pritet të jenë pranishëm në protestë

Aktuale

Paralajmëron Jasharaj: Rreth 2000 veta pritet të jenë pranishëm në protestë

Më: 3 dhjetor 2024 Në ora: 08:31
Rrahman Jasharaj

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar një protestë masive me pjesëmarrjen e rreth 2,000 punonjësve të arsimit nga e gjithë Kosova, në shenjë pakënaqësie ndaj Qeverisë dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

Protesta, sipas Jasharajt, do të jetë një reagim ndaj qasjes së gabuar të ministres dhe pasivitetit të saj ndaj kërkesave për përmirësimin e kushteve të punës dhe realizimin e Kontratës Kolektive.

“Do të shprehim pakënaqësinë tonë për ngritjen ironike të pagës dhe do të kemi një lutje për deputetët që ta votojnë nismën qytetare, për t’Iu kthyer të drejtat punëtorëve të arsimit, si kontribut dhënësve të arsimit të viteve ’90-ta”, tha Jasharaj.

Ai e kritikoi ashpër ministren Nagavci, duke thënë se ajo nuk ka arritur t’i përmbushë detyrat e saj si ministre dhe se nuk ka dalë asnjëherë për të shqyrtuar kërkesat e punëtorëve.

“Nagavci asnjëherë nuk doli të jetë ministre e Arsimit dhe të merrte në shqyrtim kërkesat tona, që duhet të realizohen gradualisht”, u shpreh Jasharaj.

Kryetari i SBASHK-ut gjithashtu shprehu shqetësimin se një tjetër grevë si ajo e shtatorit të vitit 2022 është e mundur, për shkak të injorimit të vazhdueshëm të sindikatave nga Nagavci dhe Kurti.

“Uroj që mos të ndodhë greva e shtatorit të vitit 2022, kur i tërë arsimi shkollor ishte në grevë për fajin e Kurtit dhe Nagavcit, të cilët nuk e gjetën asnjë minutë për të biseduar me sindikatat”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat