Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imeri, ka njoftuar se sindikalistët e shëndetësisë do të protestojnë para Kuvendit të Kosovës më 5 dhjetor 2024 për të kërkuar kushte më të mira për punonjësit e shëndetësisë.
Sipas Imerit, protestuesit, të cilët pritet të jenë rreth 100 persona, që kërkojnë që qeveria të bëjë hapin e parë për të krijuar një dialog social të vërtetë.
Imeri theksoi se kërkesat sindikaliste kanë mbetur të mbyllura dhe se nuk është bërë asnjë përparim në disa çështje themelore, përfshirë mungesën e Kontratës kolektive dhe mospërputhjen e koeficienteve të kërkuar.
“Dialogu social është i mbyllur, nuk ka Kontratë Kolektive, nuk ka transparencë as në komisione e takime. Rritja e koeficientit që kemi kërkuar, ndër 2, as mos të diskutohet, Qeveria duhet të reflektojë,” deklaroi Imeri.
Ajo gjithashtu ka paralajmëruar mundësinë e një proteste të përgjithshme, që do të përfshijë të gjitha federatat dhe punonjësit nga sektorë të ndryshëm.
“Shpejt mund të vjen një protestë e përgjithshme me të gjitha federatat, me një numër të caktuar të punëtorëve, që t’ia bëjmë me dije qeverisë se nuk ka kurrë një mundësi pa u ulur për të biseduar,” tha Imeri.
Kërkesat për përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit e shëndetësisë kanë qenë në fokus të protestave të shumta gjatë periudhës së fundit, me sindikatat që kërkojnë rritje të koeficienteve, përmirësim të kushteve të punës dhe një dialog të hapur me institucionet shtetërore.