Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi lajmëroi pak ditë më parë largimin nga kjo parti dhe bashkimin me AAK e Ramush Haradinajt.
Në një intervistë për Euronews Albania ai tha se shkëputja nga Kurti erdhi pas largimit të këtij të fundit nga premtimet me të cilat VV erdhi në pushtet 4 vjet më parë.
Ai tregoi se bashkimi me AAK lidhet me idealet e përbashkëta për anëtarësim të vendit në NATO dhe forcimin e sigurisë.
Abazi u shpreh se nuk përjashtohet që sulmi në Zubin Potok të jetë një sabotim i brendshëm që përdoret për vota e populizëm.
“Është sulm që vjen në një moment të dëmshëm në raportet Kosovë-Serbi kur jemi para zgjedhjeve në Kosovë dhe protestave në Serbi. Mund të jenë shumë aktorë që janë të interesuar të shfokusojnë vëmendjen nga problemet e vërteta. Uroj shumë të mos ketë elementë dhe faktorë brenda Kosovës që ta kenë bërë një gjë të tillë, se kjo gjë do ta dëmtonte shumë gjendjen e brendshme në Kosovë. Kalkulimet për vota dhe populizm e përkeqësojnë gjendjen brenda vendit. Nëse ka qenë një sabotim i brendshëm nuk na duhet më”, tha Abazi.