Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, ka shënuar 3 Dhjetorin – Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.
Kryetari i këtij forumi, Bekim Krasniqi në një konferencë u ka drejtuar një apel institucioneve të Kosovës që të vazhdojnë përkrahjen ndaj tyre ndaj kësaj kategorie të shoqërisë.
Ai theksoi se mbështetja aktuale nuk është e mjaftueshme. Krasniqi tha se e ardhmja e fëmijëve duhet të jetë e barabartë.
“Në vazhdimësi janë duke u angazhuar që të drejtat e personave me aftësi të kufizuar të përmirësohen. Nuk është e mjaftueshme ajo që deri më tani ka mundur të realizohet duke pas parasysh nevojat e mëdha në edukim të hershëm apo fillor në mënyrë që këta fëmijë të trajtohen sikur të gjithë fëmijët tjerë”, tha Krasniqi.
Ndërsa, zëvendëskryeministrja, Emilia Rexhepi, tha se shoqëria kosovare është e obliguar që personave me aftësi të kufizuar t’iu garantoj të drejta barabarta.
“Shoqëria nuk do të jetë e fuqishme përderisa të gjithë fëmijët të kenë të drejtat e barabarta që t’i realizojnë ëndrrat e tyre dhe kjo nuk është vetëm çështje politike për Qeverinë por është edhe çështje humane dhe e përgjegjësisë kolektive“, tha ajo.
Ajo tha se realiteti praktik ende është i ashpër, teksa përmendi që shumë fëmijë ende nuk kane qasje dhe shërbime të duhura për një jetë të dinjitetshme.
“Shumë fëmijë të invaliditet ende nuk kanë qasje të shkollimit të duhur, shërbimet të specialistike apo kushte për një jetë të dinjitetshme. Shumë nga ta mbesin në margjina dhe janë të padukshëm për shoqërinë dhe kjo nuk është një fakt statistikor por është një jo sukses shoqëror sepse fëmijët me invaliditet kanë të drejtë në shkollim, shërbime shëndetësore për të përmirësuar të drejtën e jetës…fëmijët me invaliditet nuk janë një barrë për shoqërinë por janë fuqia jonë, potenciali dhe ardhmëria jonë”, tha Rexhepi.
Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agron Dobruna tha se kjo ministri ka ndërmarrë hapa konkret për sigurimin e mbështetjes financiare nëpërmjet skemës sociale, si dhe forcimin e kuadrit ligjor dhe politikave gjithëpërfshirëse.