Peci për Darkën e Lamës: E shënuam në vitin më të begatë për Kosovën, falë përkrahjes së Qeverisë

Aktuale

Peci për Darkën e Lamës: E shënuam në vitin më të begatë për Kosovën, falë përkrahjes së Qeverisë

Nga: Bota sot Më: 3 dhjetor 2024 Në ora: 12:53
Pamje nga Darka e Lamës

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci theksoi rëndësinë e traditës së Darkës së Lamës, një ritual i lashtë mirënjohjeje ndaj Zotit dhe natyrës për begatinë e vitit.

Ai vuri në pah se ky kremtim nderon trashëgiminë kulturore dhe reflekton mbi përpjekjet për zhvillimin e bujqësisë dhe sigurinë ushqimore në Kosovë.

Duke e shënuar këtë në vitin më të begatë për vendin, Peci përmendi mbështetjen e Qeverisë, përkushtimin e fermerëve dhe transparencën e Ministrisë si faktorë kyç për arritjen e qëllimit për sigurimin e bukës së motmotit, një prioritet i lartë që ai e lidh me vizionin e Dr. Ibrahim Rugovës.

Ai përfundoi me një mesazh mirënjohjeje për frytet e tokës dhe një urim për begatinë e Kosovës.

Postimi i Pecit në Facebook:

Mbrëmjen e sotme shënuam një traditë të lashtë dhe të çmuar; Darkën e Lamës, një moment reflektimi dhe falënderimi ndaj Zotit dhe natyrës për begatinë e vitit që po lëmë pas. Ky ritual ka shërbyer për shekuj me radhë si shprehje mirënjohjeje për frytet e tokës dhe mundin e njerëzve që e kultivojnë atë. Këtë vit, Darka e Lamës është edhe një nderim për trashëgiminë tonë dhe një reflektim mbi përpjekjet për të zhvilluar bujqësinë dhe sigurinë ushqimore të Kosovës.

E shënuam në vitin më të begatë për Kosovën, kur siguruam bukën e motmotit falë përkrahjes së Qeverisë, begatisë së Perendisë, transparencës së Ministrisë dhe djersës së ballit të fermerit meritor.

Kremtimi i saj rikthen në kujtesë amanetin e Dr. Ibrahim Rugovës, që një nga prioritetet e tij ishte sigurimi i bukës së motmotit për qytetarët tanë. Sukseset e bujqësisë janë një prej dëshmive më të forta të përkushtimit tonë për të ardhmen e sigurt dhe të qëndrueshme të Kosovës.

Gëzuar për frytet e tokës sonë! Zoti e bekoftë popullin dhe Republikën e Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat