Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, konkretisht ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti.
KPK së bashku me Zyrën e Kryeprokurorit kanë thënë se kryeministri nga foltorja e Kuvendit ka hedhur akuza të padrejta në drejtim të Këshillit Prokurorial, Prokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
“Deklaratat e Kryeministrit për raste individuale, duke i interpretuar ato në mënyrën e tij dëshirore, pa i ditur faktet dhe duke e keqinformuar publikun në mënyrë të qëllimshme, lëndojnë ndjenjat e familjarëve të të ndjerëve, përbëjnë ndërhyrje dhe presion të drejtpërdrejtë në punën e Prokurorisë dhe cenojnë rëndë pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, thuhet në reagim.
Një qasje e tillë e kryeministrit sipas këtij reagimi dëmton funksionimin e institucioneve demokratike dhe ka për qëllim minimin e reputacionit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet institucionale për forcimin e sundimit të ligjit.
“Në vend që kryeministri t’i mbështesë kërkesat buxhetore të sistemit prokurorial, ai zgjedhë rrugën e sulmeve ndaj institucioneve të Prokurorit të Shtetit. Andaj, KPK dhe ZKPSH i bëjnë thirrje kryeministrit të vendit, anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar dhe deputetëve të partisë në pushtet që të jenë të përmbajtur, të tregojnë sjellje të përgjegjshme institucionale dhe të mos tentojnë që përmes diskursit dhe retorikës politike ta sulmojnë sistemin prokurorial”, përfundon reagimi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka adresuar akuza ndaj sistemit të drejtësisë, veçmas kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk mund ta bëjë prokurorinë dhe gjyqësinë, prandaj sipas tij ende s’është zbardhur rasti i Astrit Deharit.
Këto deklarata Kurti i ka bërë në seancën plenare të mbajtur më 2 dhjetor.
Ai tha se qeveria ka ndryshuar katër vjet më parë, por njerëzit kryesor në Këshillin Prokurorial dhe Gjykatën Kushtetuese janë ende të njëjtë.