Ka dalë para gjykatës të martën Jovan Viqentijeviq - i dyshuari për sulmin e 29 nëntorit në Ibër-Lepenc të fshatit Varagë.
Gjatë kontrollit, autoritetet e Kosovës kanë gjetur në shtëpinë e tij granata dore, armë e municione.
Pas përfundimit të seancës, avokati i tij Nebojsha Vllajiq tha se ende nuk është marrë ndonjë vendim.
Lidhur me sulmin në veri, Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë të dyshuar. Ditë më parë një tjetër i dyshuar është dërguar në paraburgim.
Ndërkaq tetë të tjerë janë liruar.
Pas rastit të sulmit në Ibër-Lepenc, dhe disa sulmeve të tjera radhazi në veri, autoritet kanë kryer bastisje në disa lokacione ku kanë gjetur arsenal armësh e dëshmi të tjera.
Mbrëmjen e 29 nëntorit ka ndodhur një shpërthim në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës.
Shpërthimi ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se sulmi është kriminal e terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Beogradi.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.
Prej Ibër-Lepencit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, gjithashtu Koorporata Energjetike e Kosovës./